Lajme

Në kohë pandemie, studentët e Kolegjit AAB dhe Universitetit të Tiranës organizuan konferencën e parë online

Studentët e Kolegjit AAB në bashkëpunim me studentët e Universitetit të Tiranës, organizuan konferencën e parë online me temën “ Komunikimi në kohën e pandemisë COVID-19”, e cila është e para e këtij lloji në vend.

Qëllimi i kësaj konference ishte që t’i bëjë bashkë studentët e dy institucioneve në një platformë online, në këtë kohë pandemie e cila ka kapluar gjithë botë.

Në këtë konferencë, studentët pjesëmarrës prezantuan rezultatet nga hulumtimet e tyre, ku fokusi i temave ishte: specifikat e komunikimeve në jetën e përditshme të izolimit global, specifikat e punës së gazetarëve në kohë pandemie në Kosovë e Shqipëri, komunikimi dhe diskursi politik në kohë karantinimi, fake news në kohën Covid-19, transformimi i komunikimit sot.

Me këtë rast, Rektori i Kolegjit AAB, Bujar Demjaha në fjalën e tij përshëndeti këtë konferencë online duke i përgëzuar studentët e dy institucioneve për angazhimin e tyre dhe duke theksuar se ky aktivitet do të sjellë rezultate të vlefshme shkencore.

Ndërsa, Prorektori për shkencë në Kolegjin AAB, Hasan Saliu, vlerësoi lartë kontributin e studentëve nga dy institucionet për gatishmëri dhe përkushtimin gjatë kësaj periudhe.

“Angazhimi juaj dëshmon përkushtimin që të jepni kontribut edhe në këto rrethana kur globi është mbërthyer në izolim dhe për këtë ju falenderoj që morët pjesë në këtë konferencë studentore online të parin e këtij lloji në rajon por mbase edhe më gjerë”, u shpreh Prorektori Saliu.

Në këtë konferencë online, u prezantuan 22 hulumtime nga studentët e Kolegjit AAB dhe nga ata të Universitetit të Tiranës, ku pjesëmarrës ishin kryesisht studentë të masterit të drejtimit të gazetarisë, komunikimeve dhe marrëdhënieve publike. Pas përfundimit të prezantimit të hulumtimeve nga studentët, u realizua edhe një debat për prezantimet e tyre./GazetaKNN/


SHIKO EDHE: 7 SIMPTOMAT QË JU TREGOJNË NËSE KENI COVID-19