Lajme

Në Fushë Kosovë shënohet 12-të përvjetori i pavarësisë

Për të shënuar përvjetorin e 12-të të pavarësisë së Kosovës komuna e Fushë-Kosovës u stolis me flamuj kombëtar dhe shtetërorë, të cilët i paraprinë agjendës së këtij përvjetori.



Në ora 11:00 (njëmbdhjetë) delegacione nga udhëheqja komunale, shoqatat e dala nga lufta, asamblistë dhe policë nga stacioni i policisë në Fushë-Kosovë vendosën kurora pranë dëshmorëve të lirisë, përmendores së komandantit legjendar Adem Jashari si dhe në varrezat e martirëve të rënë për lirinë e atdheut.

Pas homazheve u mbajt një program i zgjedhur kulturo-artistik, kurse fjalën kryesore e mbajti prof.Amir Pllana, drejtor i Gjimnazit “Hivzi Sulejmani”, i cili foli për rëndësinë e pavarësisë së Kosovës si një nga ngjarjet më të rëndësishme historike për popullin shqiptar. Z. Pllana në fjalën e tij ndër të tjera tha: Në vitin, 2008, Kosova realizoi aspiratën për të cilën breza të tërë luftëtarësh, patriotësh, ideologësh e veprimtarë politik kontribuuan me mundime të gjata nga viti 1912 e deri me 2008. Në përvjetorin e 12-të të shtetit të Kosovës ne shprehim respektin e përjetshëm para të gjithë atyre burrave dhe grave të Kosovës që bënë vepra e akte sublime për lirinë e atdheut, për pavarësinë dhe demokracinë e Republikës së Kosovës, pa harruar edhe veprën e mrekullueshme dhe vizionin e Presidentit Historik Dr.Ibrahim Rugova, për shtet sovran e demokratik. Ne po ashtu kujtojmë luftën heroike të Komandantit Legjendar – Adem Jashari dhe flijimit të familjes Jashari për lirinë e Kosovës, luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të Kosovës me nderimet më të larta, të cilët i falën jetën Kosovës duke rënë në altarin e lirisë dhe u bënë gurthemeli i shtetit të Kosovës. Për çdo përvjetor, më 17 shkurt, në kujtojmë me mirënjohje të thellë të gjithë miqtë tanë ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, NATO-n të cilët kontribuuan dhe na ndihmuan për lirinë, pavarësinë dhe ndërtimin e shtetit demokratik të Kosovës.

Gjatë këtyre 12 viteve Kosova me ndihmën e faktorit ndërkombëtar ndërtoi sistem dhe institucione demokratike, ngriti një infrastrukturë të tërë ligjore me rend kushtetues sipas standardeve më të larta ndërkombëtare duke njohur barazinë e qytetarëve të saj si pjesëtarë të një shoqërie të lirë dhe demokratike pa dallim të përkatësisë etnike, gjinore e religjioze, shënoi ngritje të kënaqshme ekonomike, thelloi reformat e gjithanshme në të gjitha institucionet. Sot, shteti i Kosovës është vend i shpresës, lirisë, talentit, dijes, ndërmarrësisë dhe mrekullisë. Kosova vazhdon betejën e madhe drejt zhvillimit ekonomik, sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë, forcimit të stabilitetit politik, të sigurisë shtetërore me polici dhe ushtri moderne. Ushtria e Kosovës është bërë pjesë e kontingjenteve në ndihma rajonale, reformave të gjithanshme demokratike me syniminin dhe angazhimin për tu anëtarësuar dhe integruar në organizata ndërkombëtare, si: Bashkimin Evropian, NATO-n, Kombet e Bashkuara dhe organizatat tjera ndërkombëtare. Kosova – Shtet i vogël por simpatik, me trende të zhvillimit ekonomik, zhvillimit të arsimit e kulturës, me zhvillim dinamik të sportit, ku djem e vajza të shkëlqyeshëm sot mbrojnë ngjyrat e shtetit duke ngritur lart simbolet e tij me krenarinë më të madhe, duke rrëmbyer medalje të arta në shumë disiplina sportive në të gjitha qendrat e botës. Flamuri i Kosovës nëpërmjet sportit valon dhe ngritet edhe në ato kryeqendra të vendeve të cilat ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, si: Moskë, Pekin, Madrid. Ne, brezi ynë jemi me fat historik dhe pjesëmarrës të drejtpërdrejt në ndërtimin, begatimin dhe forcimin e shtetit tonë – Republikës së Kosovës.

Pika të zgjedhura nga Ansambli i Këngëve dhe i Valleve “Zëri i Kosovës” dhe nga nxënësit e Gjimnazit “Hivzi Sulejmani” përmbyllën aktivitetet që shënuan 17 Shkurtin, ditën e Pavarësisë së Kosovës.