Lajme

Në ftohtin e madh, KEDS-i apelon për kursim të rrymës

Edhe pse ditëve të fundit temperaturat në Kosovë janë tejet të ulëta, qytetarëve të vendit po u kërkohet të kursejnë energjinë elektrike.

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) të shtunën ka thënë se qytetarët po e shfrytëzojnë energjinë elektrike edhe për ngrohje dhe kjo ka shkaktuar mbingarkesa në rrjet duke rrezikuar furnizimin stabil.

Kjo kompani thotë se ka investuar vazhdimisht në modernizim të rrjetit dhe mirëmbajtje të tij, duke zgjeruar linjat dhe duke forcuar aktualet, por “kërkesa e tanishme e tejkalon dizajnin e rrjetit elektrik në disa lokalitete”.

“Kjo, pasi trasformimi i energjisë elektrike në energji termike është proces i dhunshëm dhe asnjë rrjet elektrik nuk është i destinuar për ngrohje. Në këto situata, në mënyrë që të kemi furnizim sa më të mirë dhe rrjeti ta përballojë më lehtë ngarkesën, apelojmë për kursim maksimal të energjisë elektrike”, thuhet në një apel të KEDS-it.

Kjo kompani ka bërë thirrje që aty ku është e mundur qytetarët të ngrohen me forma alternative.

Temperaturat e ulëta prite të zgjasin edhe disa ditë në Kosovë.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?