Lajme

Nait Hasani po intervistohet për t’u bërë ambasador

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Nait Hasani, është intervistuar si i propozuar për ambasador në Shqipëri në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike.

Këtë e ka bërë të ditur deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, i cili është edhe anëtar i këtij komisioni.

Berisha ka postuar një fotografi në Facebook ku ka njoftuar për intervistimin e Hasanit.

“Intervistimi i të propozuarit për Ambasador në Republikën e Shqipërisë z.Nait Hasani në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike”, ka shkruar Berisha.

Kurse sot, Ministria e Jashtme që udhëhiqet nga Behgjet Pacolli përmes një komunikatë ka thënë se është fuqizuar shërbimi i jashtëm i Republikës së Kosovës pasi po largohen të emëruarit politikë.

MPJ-ja thotë se tani po respektohet ligji i Ministrisë që kërkon të paktën 50% të ambasadorëve të mos jenë të emëruar politikisht.

“Për herë të parë që nga krijimi i Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, më shumë se 60% e Ambasadorëve të Kosovës janë Ambasadorë të karrierës, më shumë sesa kërkon ligji. Ligji i Ministrisë së Punëve të Jashtme kërkon të paktën 50% të jenë Ambasador karrierë dhe jo më shumë se 50% të emërohet politikisht”.

Sipas Ministrisë, ky premtim për depolitizim të ambasadorëve vjen në kohën kur qeveria kritikohet nga vendet perëndimore për emërime politike.

“Ky premtim i ministrit Pacolli i zbatuar vjen në një kohë kur shumica e qeverisë kritikohet nga vendet perëndimore për emërime politike, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme po jep një shembull se si shërbyesit civilë që kanë përgatitje profesionale mund të marrin drejtimin e përfaqësimit të Kosovës jashtë vendit”, thuhet në komunikatë.

MPJ-ja ka deklaruar se tani ambasadorët e emëruar të karrierës janë: Ilir Dugolli ambasador në Turqi, Frymëzim Isufaj në Britani të Madhe, Lulzim Mjeku në Arabi Saudite, Lendita Haxhitasimi në Itali, Lulzim Pllana në Austri, Adriatik Kryeziu në Kanada.

Kurse disa muaj më parë ministri Pacolli kishte propozuar emërimin e ambasadorëve të tjerë të karrierës në ambasadat e Kosovës jashtë vendit, Ylber Kryeziu u emërua ambasador në Portugali, Muhamet Brajshori ambasador në Tajlandë dhe Guner Ureya ambasador në Bangladesh. /GazetaExpress/


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje