Lajme

Mustafa: “Studimi” i bashkëmendimtarëve të Albin Kurtit është manipulim!


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar ndaj studimit të publikuar së fundmi nga Bashkimi Evropian e ku ka konstatuar se amerikanët përmes dezinformatave kanë rrëzuar qeverinë e Albin Kurtit, shkruan Gazeta Express.

Mustafa ka shkruar se ky studim është manipulim pasi që siç ka thënë ai është studim i bashkëmendimtarëve të Kurtit.

”Disa bashkëmendimtarë të majtë evropianë të tashmë forcës kryesore politike të së majtës në Kosovë (Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit), në një “studim” që paskan bërë për efektin e lajmeve të rreme në politikëbërje, përfshirë edhe Kosovën, më paska “akuzuar” si prodhues të lajmeve të rreme me qëllim rrëzimin e qeverisë së koalicionit ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së ! “, ka shkruar ai në “Facebook”.

Mustafa poashtu ka thënë se si kryetar i LDK-së, do ti drejtohet partive partnere të LDK-së në EPP (Partitë Popullore Evropiane) me sqarimet e nevojshme për ta hedhur poshtë këtë “studim”, siç e ka quajtur ai tendencioz dhe të motivuar ideologjikisht ndaj LDK-së.

” Meqë ky “studim” qenka bërë për nevojat e Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, si kryetar i LDK-së, do t’u drejtohem partive simotra të LDK-së në EPP (Partitë Popullore Evropiane) me sqarimet e nevojshme për ta hedhur poshtë këtë “studim” tendencioz dhe të motivuar ideologjikisht ndaj LDK-së. “, ka shkruar ndër të tjera Mustafa.

Postimi i plotë i tij:

Të dashur miq,

“Studimi” i bashkëmendimtarëve të Albin Kurtit është manipulim !

Disa bashkëmendimtarë të majtë evropianë të tashmë forcës kryesore politike të së majtës në Kosovë (Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit), në një “studim” që paskan bërë për efektin e lajmeve të rreme në politikëbërje, përfshirë edhe Kosovën, më paska “akuzuar” si prodhues të lajmeve të rreme me qëllim rrëzimin e qeverisë së koalicionit ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së !

Meqë ky “studim” qenka bërë për nevojat e Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, si kryetar i LDK-së, do t’u drejtohem partive simotra të LDK-së në EPP (Partitë Popullore Evropiane) me sqarimet e nevojshme për ta hedhur poshtë këtë “studim” tendencioz dhe të motivuar ideologjikisht ndaj LDK-së.

E vërteta e bashkëqeverisjes mes LDK-së dhe Vetëvendosjes është e qartë dhe e pastër.

LDK-ja i dha shans Vetëvendosjes për të punuar bashkërisht për të mirën e Kosovës.

Vetëvendosje, përveç që tentoi ta keqpërdorte partneritetin dhe kontruktivitetin e LDK-së, duke u kthyer në shtratin e saj ideologjik dhe gjenezën izolacioniste, filloi ta rrezikonte partneritetin e Kosovës me aleatët e saj kryesorë, para se gjithash me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

LDK-ja nuk mund të duronte nëpërkëmbjen e saj nga një parti tjetër dhe taman puna të rrinte duke e soditur Vetëvendosjen teksa po shkarkonte ministra të LDK-së duke e shkelur marrëveshjen dhe po rrezikonte partneritetin e Kosovës me SHBA-të !

Prandaj, LDK-ja reagoi. Dhe do të reagoj ndaj kujtdo në Kosovë që e quan veten aq të rëndësishëm e të fortë sa të shpërfillë thirrjet telefonike nga Shtëpia e Bardhë e Departamenti Amerikan i Shtetit.

Që organizon fushata denigruese ndaj zyrtarëve amerikanë dhe Shtëpinë e Bardhë e portretizon si një vend ku copëtohet Kosova.

LDK-ja, si partia e parë politike në Kosovë dhe si trasuesja e orientimit pro-perëndimor të Kosovës, e ka obligim të kujdeset për të mos lejuar asnjëherë tendencat për shmangie nga ky orientim.

Sepse, partneriteti me SHBA-të dhe demokracinë perëndimore, është orientim natyror dhe sepse është rruga e vetme për Kosovën.

Autorët e “studimit”, shpresoj shumë se do të ballafaqohen me mbështetësit e Kosovës në Parlamentin Evropian dhe “studimi” i tyre do të përfundoj si një përpjekje e dëshpëruar për manipulimin e së vërtetës.

I.M.


SHIKO EDHE: Si do të duket jeta pas COVID-19?