Lajme

Mustafa për Qeverinë Kurti: S’dallon shumë prej rusëve sa i përket dhunës, duan të themelojnë ushtri paralele

Gjatë ditës së djeshme kryeministri i Kosovës Albin Kurti, është deklaruar se situata mes Kosovës dhe Serbisë mund të përshkallëzohet në konflikt të armatosur.
Kjo deklaratë e të parit të qeverisë ka ngjallur reagime të shumta nga njohës të politikës por edhe nga partitë opozitare, nga ku është kërkuar që të mos krijohet panik pasi që diçka e tillë, pra konflikti i armatosur nuk mund të ndodhë, shkruan lajmi.net.

Në lidhje me këtë çështje lajmi.net ka kontaktuar me ish kryeministrin Isa Mustafa.

I pyetur për deklaratën e Kurtit si dhe për kujdesin që i pari i qeverisë duhet të tregoj në deklarimet e tija në mënyrë që të mos ngjallet panik, Mustafa tha se, qeveria e Albin Kurtit është qeveri e dhunës dhe se nuk dallon shumë prej rusëve sa i përket dhunës, pasi që këta të fundit ia vejnë flakën Ukrainës, ndërsa ata ia vënin flakën institucioneve të Kosovës.

“Kjo është qeveri e dhunës. Me dhunë, gurë, gaz lotësjellës, bomba molotovi, granata ka ardhë në pushtet. Jo me punë dhe merita qeverisëse. Edhe aty ku ka qeverisur ka dështuar, si Prishtina dhe Prizreni. S’dallon shumë prej rusëve sa i përket dhunës. Ata po ia vëjnë flakën Ukrainës, këta ia vënin flakën institucioneve të Kosovës për ta rrëzuar pushtetin demokratik. Duan të themelojnë ushtri paralele dhe organe paralele të drejtësisë. “Kushtetutë e pa Kushtetutë” (mësim i keq dhe fatal).”, ka thënë ai për lajmi.net.

Tutje Mustafa ka shtuar se, Kurti dhe Osmani siç tha ai, “kaftjall, e drekë e kanë Rusinë e Serbinë” dhe se ata që ndjellin luftë e sjellin Serbinë tek dera.

“Që nga ardhja në pushtet flasin vetëm për luftën, thuaj se lufta nuk ka përfunduar. Kryeministri dhe Presidentja, kaftjall e drekë e kanë Rusinë, Kinën, Serbinë. Sikur ne të ishim qendra e botës, ku do të fillojë “Dita e Kijametit”. Shumë më shumë janë të prirur të ndjellin luftë sesa të promovojnë paqe. Prandaj ata që ndjellin luftë, ta sjellin Serbinë te dera”, ka vijuar duke deklaruar Mustafa.

I pyetur për mundësinë e një konflikti të ri mes Kosovës dhe Serbisë, Mustafa dhe se interesi i Kosovës nuk është lufta, por zgjidhja e problemeve me paqe dhe dialog.

“Interesi i Kosovës nuk është lufta as përmendja e saj. Është zgjidhja e problemeve me paqe e dialog. Kryeministri, nëse përnjëmend llogaritë në luftë dhe do luftë atëherë le ta sjellë edhe familjen e tij në Kosovë që të bëhet më i përgjegjshëm për vendimet e tij dhe diskursin e tij”, ka përfunduar Mustafa. /Lajmi.net/