Lajme

Mustafa del kundër vendimit të LDK’së: S’e kuptoj strategjinë e partisë me Përparim Ramën, do preferoja Abrashin ose Dumoshin

Drejtuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës për 11 vjet rresht dhe për gjashtë vjet të tjera kryetar i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, thotë se ende nuk e ka kuptuar se cila ka qenë strategjia e Kryesisë së LDK-së për të vënë në krye të kandidaturës për Kryetar të Prishtinës, një person që mburret se është apartiak dhe nuk mburret që përfaqëson këtë subjekt politik.

Këtë deklarata, Mustafa e dha pasi i propozuari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, është deklaruar se është kandidat apartiak dhe se punën e kryetarit të komunës e sheh më shumë si menaxhim.

Në një intervistën e realizuar me Gazetën Online Insajderi, Mustafa thotë se kandidati mbi të gjitha është i partisë dhe jo i bizneseve të caktuara apo i shoqërisë civile.

Me këtë rast, ai preferon që emra të njohur të cilët janë të lidhur ngushtë me partinë, të shqyrtoheshin me kohë në Kryesi për mandatar të LDK në Prishtinë.

“Kryetari i Prishtinës nuk është vetëm menaxher; para së gjithash është politikan. Është njeri që zbaton orientimet politike të LDK-së në drejtimin e kryeqytetit. Prandaj është kandidat i partisë, jo i bizneseve të caktuara apo i shoqërisë civile. Unë do të preferoja njerëz të LDK-së, si psh. Besnik Berisha, Arban Abrashi, Vlora Dumoshi, Besnik Krasniqi…. ka shumë; secili i përgatitur dhe i lidhur me LDK-në. Sigurisht se asnjëri nga këta nuk do të mburrej se është apartiak, por do të mburrej se është LDK”, ka thënë ai.

Për të faktuar se një kandidat i suksesshëm nuk do ta dëmtonte veten dhe partinë në zgjedhjet lokale, ai mori shembull të propozuarin e LDK-së në zgjedhjet e fundit, Arban Abrashi, për të cilin tha se nuk arriti të fitojë për rreth 200 vota, në raundin e dytë meqë sipas tij, të gjitha subjektet e përkrahinin Shpend Ahmetin nga (atëherë) Lëvizja Vetëvendosje.

“Në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2017, LDK bindshëm ka qenë e para me vota për kryetarë të komunave, me rreth 220.000 vota. Z. Arban Abrashi si kandidat për Prishtinën, i caktuar me votim të fshehtë në Kryesi, nuk arriti vetëm për rreth 200 vota ta fitojë Prishtinën në raundin e dytë kundrejt të gjitha subjekteve që e përkrahnin z. Shpend Ahmeti”.

I pyetur për ndikimin negative që mund të japin deklaratat e Ramës në elektoratin e LDK-së në këtë komunë, Mustafa tha se “vendimi dhe përgjegjësia i takon Kryesisë aktuale të LDK-së”.

Arkitekti Përpari Rama, i cili ditë më parë është prezantuar si kandidat i LDK-së për kryetar të Prishtinës, nga kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka treguar se politika për të është fushë sekondare, dhe se punën e kryetarit komunal e sheh më shumë si menaxhim – gjë që për të është primar.

“Nuk mendoj që gara për kryetar të Prishtinës është politike, më shumë është menaxhim i strukturave të kryeqytetit, është një projekt, një proces i cili duhet të menaxhohet në mënyrë të mirëfilltë. Unë jam apartiak dhe nuk kam qenë kurrë politik, politika është sekondare, mirëpo menaxhimi është primar. Si arkitekt menaxhoj projekte gjatë gjithë kohës”, ka thënë Rama në “Klan Kosova”.

“Si ekzekutiv i kompanive të mija menaxhoj kompanitë, njerëzit, proceset prej fillimit, prej ideve deri te zbatimi i tyre. Kështu që e shoh edhe zhvillimin e Prishtinës si menaxhim, duhet të menaxhohet, të jetë një menaxhim i mirëfilltë me vizion të mirëfilltë për të mirën e qytetarëve të Prishtinës”, është shprehur më tej ai.

Deri më tani, vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i kanë bërë të ditur emrat e personave të cilët do t’i përfaqësojnë në zgjedhjet komunale të cilat pritet të mbahen në tetor të këtij viti.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?