Lajme

Mustafa: Bush, dashurinë ndaj Kosovës e trashëgoi edhe te biri i tij

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në ngushëllimin e tij me rastin e vdekjes së ish-Presidentit George H.W. Bush, tha se me pikëllim të thellë ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të mikut të popullit të Kosovës.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut të popullit të Kosovës, Presidentit të SHBA-ve, George H.W. Bush.

Ndarja nga jeta e George H.W. Bush është humbje e madhe për Kosovën.

Bush ishte një prej figurave më të njohura në arenën ndërkombëtare dhe politike i cili dha kontribut të madh që popujt e botës të jetojnë në paqe.

Bush ishte gjithashtu mik i madh i vendit dhe popullit tonë, mungesën e të cilit do ta ndiejmë shumë.

Bush do të përkujtohet gjithmonë nga Kosova dhe qytetarët e saj, veçanërisht për paralajmërimin e tij ndaj Serbisë në vitin 1992 se ‘në rast të konfliktit në Kosovë, të shkaktuar nga veprimet e Serbisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë të gatshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë e Serbi.’

Këtë dashuri ndaj Kosovës e trashëgoi edhe te Presidenti i 43-të i SHBA-ve George W. Bush, gjatë mandatit të së cilit edhe u shpall pavarësia e Kosovës.

Zoti e bekoftë shpirtin e Presidentit George H.W. Bush”, ka thënë më tej Mustafa.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?