Lajme

Murati përplaset me opozitën: Familjet me asistencë sociale, studentët kanë zero para në Trust

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, është përplasur në seancën e Kuvendit me deputetët e opozitës sa i përket tërheqjes në Trust dhe masave të qeverisë karshi krizës së çmimeve.

Murati tha se familjet me asistencë sociale, studentët e pensionistët kanë zero para në Trust, andaj miratimi i tërheqjes së të hollave nga trusti s’ju ndihmon këtyre familjeve.

“Sa kanë trust familjet në asistencë sociale, zero, sa kanë trust studentët zero, sa kanë trust pensionistët zero, sa kanë trust ata që paguhen me pagë minimale, mundem me i pasë 100 euro, që 30% i bie 30 euro me këto masa po doni me i ndihmu këto familje”, tha Murati në fjalën e tij.

Ai ka kritikuar opozitën se nuk e kanë përkrahur marrëveshjen me Bankën Botërore për zgjerimin e skemës sociale.

“Në vazhdimësi po thuhet që qeveria s’ka bërë asgjë prandaj duhet tërhequr trusti. Në krizë të tillë detyrë e qeverisë t’i mbështesë ata që kanë nevojë rastet sociale. Për tërë vitin Qeveria ka rritur buxhetin për raste sociale 30 për qind. Është mbështetja për familjet me asistencë sociale. Kur po folim se kush ka nevojë ju po refuzoni marrëveshjen e skemës sociale. Ndihmojeni qytetarët, votoni marrëveshjen. Ne kemi sjellë ligjin për pagën minimale, dhe është refuzuar. Kemi me sjellë ligjin e pagave edhe keni me kundershtu. Kur vjen çështja me i mbështet qytetarët ju refuzoni. Tendenca juaj është me i kundërshtuar që qeveria s’po kryen punë”, tha Murati në seancën e Kuvendit.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?