Lajme

Mocioni për rrëzimin e Qeverisë, reagon Bekim Jashari: Ky nuk ishte ideali i atyre që dhanë jetën për Liri e Pavarësi, qytetarët nuk do ta tolerojnë këtë

Jashari për situatën në vend: Ky nuk ishte ideali i atyre që dhanë jetën për Liri e Pavarësi, qytetarët nuk do ta tolerojnë këtë
Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka shprehur shqetësimin e tij për situatën e krijuar në vend.

Përmes një postimi në Facebook, Jashari ka shkruar se “Po bëhet një javë që kur shteti ynë po ballafaqohet me pandeminë e corona virusit, COVID-19. Krahas vendimeve dhe veprimeve të marra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si kryetar i Komunës së Skenderajt së bashku me shtabin emergjent lokal kemi marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të zbatuar masat e vendosura për parandalimin e COVID-19.

Për të fituar betejën tonë ndaj corona virusit, kruciale mbetet unifikimi i spektrit politik në vend në mënyrë që përtej dallimeve tona politike, prioritet të kemi mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, të shtetit tonë përmes marrjes së masave adekuate parandaluese, në kohë reale dhe konform situatës pandemike”.

Postimi i plotë:

Tri dekada rrugëtim me të njëjtën mendësi përçarëse të veprimit politik

Të dashur qytetarë, Si kryetar i Komunës së Skenderajt dhe si anëtar i familjes Jashari, shpreh shqetësimin tim në lidhje me situatën e krijuar në vend.

Po bëhet një javë që kur shteti ynë po ballafaqohet me pandeminë e corona virusit, COVID-19. Krahas vendimeve dhe veprimeve të marra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si kryetar i Komunës së Skenderajt së bashku me shtabin emergjent lokal kemi marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të zbatuar masat e vendosura për parandalimin e COVID-19.

Për të fituar betejën tonë ndaj coronavirusit, kruciale mbetet unifikimi i spektrit politik në vend në mënyrë që përtej dallimeve tona politike, prioritet të kemi mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, të shtetit tonë përmes marrjes së masave adekuate parandaluese, në kohë reale dhe konform situatës pandemike.

Fatkeqësisht çdo herë kur ne si shoqëri jemi ballafaquar me probleme, sfida e luftë për ekzistencë kemi pasur udhëheqës politik të cilët kanë vënë interesat e tyre të ngushta partiake e personale mbi ato nacionale, duke dëmtuar kështu idealet, proceset dhe qëllimet tona progresive.

Edhe sot për fat të keq kemi të njëjtën mendësi politike, të njëjtat veprime e polarizime të skajshme të cilat nuk qojnë askund tjetër pos në dështim të shtetësisë së Kosovës.

Ky nuk ishte ideali i atyre që dhanë jetën për Liri e Pavarësi, kjo nuk duhet dhe nuk do të tolerohet nga qytetarët e Kosovës.

Të gjitha dështimet që bartë shteti ynë kanë vetëm një emër dhe një adresë, ata janë politikanët e pa përgjegjshëm të cilët me veprimet e tyre po dëshmojnë se sa e duan shtetin tonë.

Në këtë situatë në të cilën gjendemi, me mungesë të lëvizjes së lirë, papunësisë të madhe, ikjes së të rinjve jashtë vendit, cenimit të marrëdhënieve tona me shtetet mike, nepotizmit e korrupsionit, duhet të bëhemi bashkë, të dialogojmë që një herrë e përgjithmonë t’i japim fund përçarjeve e polarizimeve mes partive e liderëve shtetëror për çështje të interesit nacional.

Të dashur qytetarë, përkundër zhvillimeve të fundit politike në vend, ju bëjë thirrje që fokusi jonë të jetë në ruajtjen e shëndetit tonë, duke iu përmbajtur udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike e duke treguar solidaritet mes njeri tjetrit në tejkalimin e sfidave që kemi para nesh.