Lajme

Ministri Xhelal Sveçla reagon për plagosjen e dy policëve në Skenderaj: Organet e drejtësisë të marrin masa për sulmuesit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e ka dënuar plagosjen e dy policëve në Skenderaj, ku i dyshuar është Nuredin Lushtaku, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “policët duhet të jenë të paprekshëm dhe të papenguar”.

Ai i ka uruar dy policëve të plagosur shërbim të shpejtë.

Sveçla tha se të gjithë presin që organet e drejtësisë të marrin masa.

Postimi i plotë:

Sot publiku i gjerë në Kosovë ishte dëshmitar i një sulmi të paprovokuar dhe të rëndë ndaj institucionit të Policisë.

Policët e Republikës së Kosovës në ushtrimin legjitim të detyrave publike duhet të jenë paprekshmërisht të papenguar. Ata janë emri konkret i rendit publik. Nuk mund të kemi edhe Republikë edhe mungesë rendi. Ngjarja e sotme përveçse është e patolerueshme ligjërisht e moralisht përbën po ashtu sulm për rendin e Republikës.

I uroj nga zemra shërim të shpejtë dhe të plotë dy policëve të plagosur sot. Do t’i vizitoj nga afër sapo të kthehem nga udhëtimi zyrtar në Bruksel.

Mbes i bindur se nuk ka asgjë që mund t’i zmbraps ata dhe kolegët e tyre nga misioni që ia jep detyra e vullneti.

Unë, por dhe të gjithë qytetarët presim që organet e drejtësisë të marrin masa, sipas ligjeve në fuqi dhe pa ekuivoke për sulmuesit.


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje