Lajme

Ministri i ri nga LDK-ja është duke u hetuar për mashtrim

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë Hoti, Vesel Krasniqi, është duke u hetuar për mashtrim.

Sipas dokumenteve që i ka siguruar KOHA, saktësisht dy vjet më parë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve të Veselit.

Ai së bashku me pesë persona të tjerë dyshohet që kanë mashtruar një qytetar që jeton në Norvegji. Rasti ka të bëjë me shitblerjen e një banese në Prishtinë.

Agim Kastrati ka paguar 60 mijë euro për këtë banesë, por ai thotë se ajo i ishte shitur dikujt tjetër para tij.

Megjithëse kundër Veselit ka aktvendim për hetimin e tij, ai nuk është intervistuar nga prokurorja e rastit.

LEXO EDHE:  Dyshohet se u vra nga kolegu i punës, flet familjari i viktimës në Malishevë: Kanë punuar bashkë qe më shumë se 10 vite

Avokatja që e përfaqëson të dëmtuarin në këtë rast, Saranda Keqekolla ka thënë se hetuesia nuk e ka gjetur Krasniqin edhe pse ai ishte zëvendësministër.

Vesel Krasniqi në Qeverinë PAN ka qenë zëvendësministër i Bujqësisë. Në atë kohë prokurorja e rastit kishte autorizuar policinë që ta intervistonte në cilësinë e të dyshuarit.

Gjatë ditës mediat kanë raportuar se Krasniqi ishte i akuzuar edhe në një rast tjetër për vetëgjyqësi, porse në shkallën e parë është liruar.

LDK-ja si partia më e madhe e koalicionit pati premtuar se asnjë anëtar kabineti nuk do të kishte dosje penale.

LEXO EDHE:  Vrasja në Malishevë, ky dyshohet të jetë motivi që çoi në tragjedi