Lajme

Ministri i ri i Shëndetësisë: Do të angazhohem me gjithë qenien

Ministri i sapoemëruar i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka falënderuar kryeministrin Albin Kurti që ia ka besuar këtë detyrë derisa ka dhënë edhe zotimet e tij të para në këtë post.

“Unë premtoj se ekipi im dhe unë do të angazhohemi me gjithë qenien që në mënyrë afatgjate t’i ngrisim standardet mjekësore duke ngritur edukimin dhe trajnimin e të gjitha specializimeve dhe ngritjen e aftësive dhe kapaciteteve njerëzore për hulumtime shkencore si për mjekët ashtu edhe infermierët dhe të gjithë punëtorët e tjerë shëndetësorë”.

“Me ngritjen e kapaciteteve njerëzore ne investojmë në ngritjen e kualitetit të shërbimeve dhe në këtë mënyrë shtojmë volumin e shërbimeve mjekësore në Kosovë. Me të ardhurat prej këtyre shërbimeve ne riinvestojmë sërish në kualitet. Ky proces do të ketë dy rëndësi të mëdha për Kosovën – do t’i ofrojmë shërbime të ndryshme të rinjve tanë, mjekëve, infermierëve dhe të tjerëve ngritje profesionale, ardhmëri shkencore dhe kënaqësi profesionale do ta ndërpresim largimin e trurit mjekësor dhe shkencor të Kosovës në vende të tjera të Europës dhe më tej.

Për më tepër nëse e rregullojmë shtëpinë tonë do ta mundësojmë kthimin e trurit të larguar deri tash në mënyrë që të bëhet pjesë e procesit të ngritjes së standardeve mjekësore”.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?