Lajme

Ministri i Financave e pranon se kanë dështuar në investimet kapitale, sikurse shefi i tij i akuzon mediat

“Po, edhe investimet kapitale do të bëhen” ka shkruar Hekuran Murati një ditë pasi u raportua se 4 ministri kanë pasur 0€ invetime kapitale. Sikur se shefi i ti, Albin Kurti, ai ka vendosur që ti sulomjë mediat për këto raportime. “nga opozita por edhe nga disa media, kemi parë një fushatë agresive e cila pretendon se qeveria ka bllokuar ekonominë, sepse nuk po shpenzon” shkroi ai, raporton Insajderi.

Lidhja Demokratike e Kosovës dje ka njoftuar se katër ministri e kanë 0% realizimin e buxhetit për investime kapitale.

Sipas Raportit Financiar të Thesarit të Republikës së Kosovës, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, investimet kapitale kanë qenë vetëm 9% apo më të ulëtat në dhjetë vitet e fundit.

“Ky raport shpërfaq me fakte dhe numra paaftësinë qeverisëse të pushtetit. Ndërkaq, mosefikasiteti i Qeverisë në realizimin e projekteve kapitale po përkthehet me rënie ekonomike, mbyllje biznesesh, humbje të vendeve të punës, rritje të varfërisë si dhe dëmtim zinxhiror në të gjitha fushat e kapluara nga kriza”, thuhet në njoftimin e LDK-së

Lidhur me këtë ka reaguar Hekuran Murati përmes një postimi në Facebook se pagesat nga buxheti I shtetit janë më të lartat ndonjëherë, ku gjatë peridhuës gjashtë mujore 2022 janë 1 miliardë e 38 milionë euro.

“Pagesat nga buxheti i shtetit për periudhën e parë 6-mujore të vitit 2022 janë 1 miliardë e 38 milionë euro, më e larta ndonjëherë.

Me taksat që mbledh dhe rishpërndan, shteti është një kontribues i rëndësishëm në ekonominë e vendit. Pagesat që shteti bën, qoftë në formë të pagave, pensioneve, mallrave që blen, apo edhe investimeve kapitale, që të gjitha kontribuojnë në ekonominë e vendit”, shkroi Murati.

Postimi i tij i plotë:

Pagesat nga buxheti i shtetit për periudhën e parë 6-mujore të vitit 2022 janë 1 miliardë e 38 milionë euro, më e larta ndonjëherë.

Me taksat që mbledh dhe rishpërndan, shteti është një kontribues i rëndësishëm në ekonominë e vendit. Pagesat që shteti bën, qoftë në formë të pagave, pensioneve, mallrave që blen, apo edhe investimeve kapitale, që të gjitha kontribuojnë në ekonominë e vendit.

Ditëve të fundit, nga opozita por edhe nga disa media, kemi parë një fushatë agresive e cila pretendon se qeveria ka bllokuar ekonominë, sepse nuk po shpenzon. Mirëpo, të dhënat, nga po ai raport të cilit i referohet opozita, tregojnë të kundërtën.

Nga grafiku më poshtë, mund të shihet se periudha 6-mujore e parë e vitit 2022, për sa i përket shpenzimit është më e lartë se të gjitha vitet paraprake, madje edhe më e lartë se viti 2021, kur kishte edhe zgjedhje.

Pra, argumenti se qeveria nuk po e mbështetë ekonominë e vendit, nuk qëndron aspak, sepse sic edhe mund të shihet nga grafiku, shpenzimet dhe pagesat nga buxheti i shtetit janë më të lartat ndonjëherë.

Po, për opozitën ndoshta edhe nuk konsiderohet zhvillim ekonomik kur një nënë me shtesat që merr për fëmijët blen qumësht nga fermeri i fshatit, sepse opozita më me dëshirë ato para do t’ia jepte një kompanie në emër të punëve shtesë pa asnjë procedurë a bazë ligjore, dhe atë shpenzim do t’a quante investim kapital e zhvillim ekonomik.

Për opozitën ndoshta mbështetja për subvencionimin e kredive investuese për prodhuesit vendorë nuk është zhvillim ekonomik, sepse në buxhet kjo mbështetje figuron si shpenzim tek kategoria Subvencione e Transfere, e jo si Shpenzim Kapital. Dhe këtë opozita e quan skemë sociale. Sepse për opozitën, zhvillim ekonomik është vetëm atëherë kur paratë e taksapaguesve ua jep supermarketeve.

Për opozitën as rritja e subvencioneve për bujqit nuk është mbështetje e ekonomisë, sepse po të pyetej opozita, më mirë është të ipen 12 milionë euro për një tender të vetëm për konsulencë, sesa të mbështeten bujqit për sigurimin e bukës së vendit.

Në këtë pikëpamje është e qartë se kemi dallime.

Por kjo gjë tashmë është përcaktuar me 14 shkurt 2021. Qytetarët kanë zgjedhur modelin zhvillimor që kemi premtuar ne, dhe atë po e realizojmë.

Po, edhe investimet kapitale do të bëhen.

Njësoj sikur u bë vaksinimi, për të cilin thanë se nuk do të bëhej kurrë.

Njësoj sikur u bënë shtesat për fëmijë e për nënat lehona, për të cilat thanë se nuk keni buxhet.

Njësoj sikur po forcohet ushtria për të cilën thanë se nuk e ka të lejuar të blejë armatim.

Njësoj sikur që do të bëhen të gjitha ato që kemi premtuar. Vetëm duhet kohë e durim.

Të diele të këndshme!