Lajme

Mësohen shkaktarët kryesorë për ndotjen e ajrit në Kosovë

Me uljen e temperaturave pritet të rikthehet ndotja e ajrit.

Kështu ka ndodhur gjatë viteve të fundit ku ndotja e ajrit ka shkuar në shifra alarmante.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, është shprehur kundër miratimit të amendamentit të Ligjit për Automjete, i cili përcakton vjetërsinë e importit të veturave nga 10 vjet sa ka qenë më parë në 15 vjet.

Ai ka thënë se duke u bazuar në studimet të cilat tregojnë se 30 për qind e ndotjes së ajrit në Kosovë vjen nga veturat, këtë vit do të përcaktohen saktë ndotësit e ajrit në vend përmes një projekti japonez.

Ndërkaq, Matoshi për Ekonomia Online ka përmendur disa nga faktorët që po ndikojnë në ndotje të ajrit.

“Unë dëshiroj që ky ligj të mos kalojë në Kuvend dhe deputetët që të mos e mbështesin këtë ligj. Mosha mesatare e veturave në Kosovë sillet rreth 20 vite të vjetra, kemi rreth 400 mijë vetura që qarkullojnë nëpër rrugët e Kosovës. Njëkohësisht ftoj edhe deputetët që edhe ata të shtojnë presionin që të kemi një kontroll më rigoroz të cilësisë së derivateve të naftës dhe po ashtu një kontroll më të rreptë në kontrollin teknik për vetura që kur regjistrohen shkojnë me kryer kontrollimin teknik, të matet saktë emetimi i gazrave që ato lëshojnë në ajër”.

“Ne e kemi thënë edhe në të kaluarën, po e përsërisim edhe tash që moszbatimi i kontrollit të rreptë të cilësisë së derivateve të naftës është një prej problemeve që e detyron Ministrinë që ta mbrojë këtë qëndrim që e kemi tash. Po ashtu moszbatimi i udhëzimit administrativ për kontrollin teknik të automjeteve për kontrolle teknike është çështje tjetër që ne po ashtu na detyron që të qëndrojmë në këtë mos ndryshim të ligjit, që të mos lejojmë importim të veturave të vjetra në Kosovë”.

“Një studim shumë profesional do ta kemi në javën e parë të nëntorit, të cilin po e bënë një program i qeverisë japoneze ‘Xhajka’, që do të përcaktojë saktë ndotësit kryesorë të ajrit në vend dhe konform kësaj pastaj edhe veprimet tona mund të, ose qëndrimet tona si ministri mund të ndryshojnë. Por në këtë moment ne jemi të obliguar që për shkak të cilësisë së ajrit sidomos në stinën e dimrit në Kosovë të qëndrojmë prapa vendimit që veturat më të vjetra se 10 vite mos mund të importohen në Kosovë”.

Ministri është shprehur mosbesues se gjendja e ajrit në Kosovë mund të përmirësohet këtë vit.

Madje ai thotë se edhe për një kohë më të gjatë ndotja e ajrit në Kosovë do të vazhdojë të ndodhë, pasi sipas tij, sidomos periudha e dimrit e vështirëson gjendjen e ajrit për shkak të ngrohjes nga amvisëritë me thëngjill, veturave dhe ndotësve të tjerë.


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje