Lajme

Mesazhi i Dardanëve para dy ndeshjeve të Kosovës

Kosova me 3 shtator nis edicionin e dytë të Ligës së Kombeve, me Moldavinë në “Stadio Ennio Tardini” në Itali, e më pas, më 6 shtator, me Greqinë në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Pandemia COVID-19 ka vazhduar të sjellë telashe të mëdha në futboll, derisa këtë herë “Dardanët” do të jenë të penalizuar për dy ndeshjet e Kosovës, pasi takimet luhen pa praninë e publikut.

Kryetari i “Dardanëve” Lulëzim Berisha në llogarinë e tij ka bërë të ditur se “Dardanët” do t’i mbështesim edhe në këto dy ndeshje, por këtë herë nga shtëpitë tona.

“Në javën e parë të shtatorit luanët tanë fillojnë rrugëtimin e ri në garën UEFA Liga e Kombeve. Kosova me 3 shtator përballet me Moldavinë në Parma të Italisë, ndërsa vetëm 3 ditë më vonë presim Greqinë në Prishtinë. Shkaku i pandemisë tanimë gjithë e dimë se fatkeqësisht ndeshjet do të luhen pa tifozë në tribuna”, ka shkruar ai.

“Duke besuar në fitore, ne Dardanët nga të gjitha vendet e botës si gjithmonë do t’i përkrahim djelmoshat tanë, por këtë herë nga secila shtëpi, dritare e ballkon, me flamuj, me rekuizita të ndryshme, me brohoritje, secili sipas mënyrës së vet do të bëjmë me dije që luanët tanë nuk janë vetëm. Po ashtu, u bëjmë thirrje gjithë tifozëve, sidomos në Kosovë, e posaçërisht në Prishtinë që nga dritaret dhe ballkonet tanë të bëjmë duartrokitjen tradicionale në minutën 9 në nder të legjendës sonë Fadil Vokrri. Për Kosovën. Përgjithmonë”, ka shkruar tutje Berisha në Facebook.


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje