Lajme

Mësohet se kur do të hiqen masat kufizuese anti-Covid nga Qeveria

Shifrat e fundit të rasteve të reja me COVID-19 në Kosovë tregojnë se numri i rasteve aktive ka rënë. Megjithëkëtë, masat anti-Covid të qeverisë së Kosovës vazhdojnë të jenë në fuqi.

Gazeta Objektiv merr vesh se disa masa mund të hiqen në mbledhjen e ardhshme të qeverisë që ka mundësi të mbahet gjatë kësaj fundjave.

Në këtë mbledhje pritet të lejohen mbajtjet e aktiviteve sportive, heqja e kufizimit të lëvizjes dhe rikthimi në punë i nëpunësve civilë.

Drejtori i zyrës për media në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, për gazetën Objektiv nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë, por tha se ka shumë kërkesa nga sektor të ndryshëm.

“Ekipi për vlerësim te situatës epidemiologjike takohet pothuajse çdo ditë, por ende nuk kanë marrë ndonjë vendim. Vendimet në fakt merren në Qeveri, por propozimet shkojnë prej MSH dhe dikastereve të tjera në përputhje me rekomandimin që jep IKSHPK. Po ka kërkesa nga sektor të ndryshëm. nga gastronomia, sporti, kultura. Janë marrë edhe manuale të ndryshme per zhvillim te aktiviteteve te ndryshme, por vendime nuk janë marrë ende sepse ato merren ne Qeveri”, tha Hoti.

Ndërkohë, infektologu Izet Sadiku kërkon që të ketë kujdes përkundër zvogëlimit të rasteve të personave të infektuar me Covid-19.

“Përkundërt zvogëlimit të numrit të infektuarave, numrat edhe shifrat që janë në Evropë të larta nuk lejojnë komoditet që ne me bo hapje të mëdha, sepse numri mund të rritet prapë. Duhet t bëhet analizë tani kur ka filluar mësimi në shkolla, nëse nuk ka rritje duhet gradualisht të largohen masat. Dimrit mund të rritet rrezikshmëria e infektimit pasi njerëzit rrinë mbyllur”, theksoi Sadiku.

E deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari thekson se kafiterive duhet t’u lejohet të punojnë edhe pas orë 22:30.

“Nuk ka pas vlerësim objektiv deri më tash prej se ka ardhë qeveria Hoti. Në rrethanat që lokalet janë të hapura deri në 22 e 30 dhe me mendu që virusi shpërndahet vetëm pas orës 22 e 30 nuk ka asnjë logjikë dhe as bazë shkencore. Kufizimi i orarit duhet me pasë një rivlerësim dhe duhet me pas përcjellje të masave tjera të cilat duhet të zbatohen si Brenda lokaleve, por edhe në institucione”, potencon Kusari.

Sipas vendimit të qeverisë Hoti të 28 korrikut, në 13 qytete të Kosovës vazhdon të jetë e ndaluar lëvizja nga ora 22:30 deri në orën 5:00 të mëngjesit.

Po ashtu sipas kërkesës së Ministrisë së Shëndetësisë, qeveria ka ndaluar veprimtaritë rekreative, kulturore dhe sportive në mjedise të mbyllura dhe të hapura në të gjithë territorin, duke përfshirë shkollat e futbollit dhe sportet e tjera.