Lajme

Merkel u bën thirrje ballkanasve të shkojnë për punë në Gjermani: Ligj të ri për lehtësim të procedurave

Gjermania në fillim të vitit të ardhshëm do të miratojë një ligj të ri i cili lehtëson procedurat për punëtorë që vijnë nga vende jashtë BE’së e që duan të punojnë në Gjermani. Njoftimin e ka bërë vetë kancelarja gjermane Angela Merkel, duke treguar nevojën e shtetit të saj për më shumë punëtorë.



Ligji i ri për Punësim dhe Aftësim do të hyjë në fuqi më 1 mars 2020 dhe synon të hapë rrugën për punëtorët nga vendet jashtë BE’së.

Sipas vlerësimeve të fundit, aktualisht atje janë 1.3 milion vende të lira pune.

Më shumë se 2 milion qytetarë nga vendet e tjera të BE-së punojnë në shtetin më të fortë ekonomikisht anëtar të BE-së.

“Por kjo nuk është e mjaftueshme dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të kërkojmë punëtorë të aftë nga jashtë BE’së. Pa ekspertë të mjaftueshëm, asnjë ekonomi nuk mund të mbijetojë,” tha merkel në një video kushtuar ligjit të ri.


Ajo vuri në dukje se nevoja për ekspertë nga jashtë vlen jo vetëm për punëtorët me arsim akademik, por edhe për punëtorë profesional.

“Ne aktualisht kemi një numër ndërmarrjesh që nuk po arrijnë të gjejnë punëtorë. Nëse politikanët nuk kujdesen për profesionistë të mjaftueshëm, firmat dhe sipërmarrësit do të largohen nga Gjermania, dhe ne nuk e duam këtë”, paralajmëroi ajo.

Për të përmbushur nevojat e ekonomisë, qeveria po përdor tre strategji. E para ka të bëjë me shfrytëzimin e plotë të kapaciteteve të tregut të brendshëm të punës, e dyta me rritjen e importit të ekspertëve nga vende të BE’së dhe e treta me migracionin të punëtorëve që vijnë nga vende jashtë BE’së.

Të hënën do të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme, në të cilën qeveria, sindikatat dhe përfaqësuesit e punëdhënësve duhet të bien dakord se si të tërheqin sa më shumë ekspertë nga vendet jashtë BE’së, bazuar sipas ligjit të ri.

Ligji për imigrimin e fuqisë punëtore lejon gjithashtu imigracionin për qëllime të arsimit në Gjermani, dhe Merkel gjithashtu njoftoi lëshimin e përshpejtuar të vizave të punës për profesionistët që përmbushin të gjitha kushtet.

Në Gjermani, që nga fillimi i vitit 2016, i ashtuquajturi Rregulli i imigracionit nga Ballkani Perëndimor, i cili nuk kufizohet vetëm në punëtorë të aftë, por edhe për punëtorë të pa kualifikuar.

Praktika e deritanishme ka treguar se problemi më i madh është lëshimi i vizave të punës, pasi takimet në ambasadat gjermane në vende si Serbia ose Bosnja dhe Hercegovina kanë pritur për më shumë se një vit.

Qeveria duhet të vendosë në periudhën tjetër nëse ky rregull duhet të shfuqizohet kur një ligj i ri që vlen për ato vende të hyjë në fuqi më 1 mars.