Lajme

Me rezultat të ngushtë, Zvicra ndalon mbulimin e fytyrës

Bern, 7 mars (AP) – Zvicra ka votuar në favor të ndalimit të mbulimit të fytyrës, përfshirë nikabin dhe burkën që përdoret nga myslimanet. Në referendumin e mbajtur të dielën, zviceranët votuan me 52 për qind për ndalimin, ndërkaq 48 për qind votuan kundër kësaj ndalese. Referendumin e organizoi partia ekstreme SVP”, që bëri fushatë nën sloganin “Ndal ekstremizmit”.

Grupi kryesor i myslimanëve në Zvicër e ka cilësuar referendumin si “ditë të errët” për komunitetin mysliman në shtetin helvetik.

“Vendimi i sotëm hap plagë të vjetra dhe zgjeron pabarazinë. Dërgon mesazh të qartë të përjashtimit të minoritetit mysliman”, thuhej në reagimin e Këshillit Qendror të Myslimanëve.

Qeveria zvicerane ishte shprehur kundër ndalesës, duke u arsyetuar se nuk ishte në dorën e shtetit që të caktonte se çfarë duhet të veshë gruaja.

Sipas një hulumtimi nga Universiteti i Lucernit, gati askush në Zvicër nuk mban burka, ndërkaq rreth 30 për qind të grave mbajnë nikab. Rreth 5 për qind e popullsisë së Zvicrës, prej 8.6 milionë banorësh, janë myslimanë, shumica nga Turqia, Bosnja dhe Kosova.

Pas kalimit të referendumit, mbulimi i fytyrës nëpër hapësira publike, si restorantet, stadiumet sportive dhe në transportin publik, do të jetë i jashtëligjshëm. Do të ketë përjashtime për objektet fetare, për shkaqe sigurie dhe shëndetësore. Autoritetet do të kenë dy vjet kohë që ta përpilojnë në tërësi këtë ligj.

Qeveria zvicerane e ka kundërshtuar këtë propozim, duke thënë se mbulimi i fytyrës është çështje margjinale. Ka argumentuar se kjo masë do ta dëmtonte turizmin – shumica e grave që mbajnë shami në Zvicër janë vizitore nga shtetet e Gjirit që pëlqejnë liqenet zvicerane. Ndërkaq përkrah masën që njerëzit ta shfaqin fytyrën e tyre në rast se ua kërkojnë autoritetet.

Përkrahësit e kanë nisur këtë propozim para pesë vjetësh dhe vazhdimisht e kanë quajtur si “ndalesë të burkas”.

Ata kanë argumentuar se mbulimi i tërësishëm i fytyrës simbolizon shtypjen e grave dhe thonë se masat janë të nevojshme për ta mbajtur gjallë principin e një shoqërie të lirë në Zvicër.

Në referendumin e së dielës nuk është përmendur islami direkt dhe gjithashtu kishte synim parandalimin e protestave të dhunshme. Sidoqoftë, gjatë tërë fushatës, vota ishte referuar si “ndalesë e burkës”.

Pak ditë para referendumit, Walter Wobmann, drejtor i komitetit për referendum, mbulimin mysliman të fytyrës e quajti si “simbol për këtë politikë islame ekstreme që është bërë e njohur në Evropë dhe që nuk ka vend në Zvicër”.

“Në Zvicër tradita jonë është që ta tregojmë fytyrën. Kjo është shenjë e lirive tona bazë”, kishte thënë ai.

Mbajtja e shamive islame në publik është temë e shumëpërfolur në shtetet evropiane. Franca ndaloi mbulimin e plotë të fytyrës në vitin 2011 ndërkaq Holanda, Danimarka, Austria dhe Bullgaria kanë ligje që ndalojnë plotësisht ose pjesërisht mbulimin e fytyrës në hapësira publike.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?