Lajme

Mbyllen xhamitë në vendet e prekura me CoVID-19 në Vushtrri

Komuna e Vushtrrisë bashkë me Këshillin e Bashkësisë Islame, ka vendosur mbrëmë që të mbyllë xhamitë dhe të vazhdojë mësimin online për klasët e nënta, në lokalitetet me persona të prekur me CoVID-19.

Kështu njoftoi Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, i cili tha se dje janë shëruar 3 qytetarë të Vushtrrisë dhe ka 14 raste të reja me Covid 19 nga 82 teste të kryera.

“Rastet pozitive janë raste kontakti në lidhje familjare sipas vendbanimit: 5 raste Vushtrri, 4 raste Nadakovc, 4 raste Stanovc i poshtëm dhe 1 rast Reznik”, u shpreh Tahiri në Facebook.

Sipas tij, të gjitha rastet me Covid-19 me vendim të Inspektorit Sanitar të Komunës janë në vetizolim dhe nën mbikqyrje të Policisë së Kosovës dhe të Shtabit Emergjent Komunal.

“Shtabi Emergjent dhe DKA kanë vendosur që në fshatrat ku ka raste me Covid 19 të mos hapen shkollat për klasën e 9 por të vazhdojë mësimi online. Po ashtu bashkë me KBI në Vushtrri është vendosur që xhamitë në këto lokalitete të mbyllen deri në një vendim tjetër. Ju lutemi KUJDES ruajeni vehtën dhe familjen tuaj nga Coronavirus”, theksoi Tahiri.

Ndryshe, dje janë konfirmuar 19 raste të reja me CoVID-19 në Kosovë.