Lajme

Mblidhen naftëtarët, diskutojnë për mbylljen e pompave të derivateve

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës është mbledhur një ditë pas paralajmërimit të Qeverisë së Kosovës për nxjerrjen e një vendimi të ri që rregullon çmimet e derivateve në vend.

Ndërhyrja e qeverisë në tregun e derivateve ka nxitur naftëtarët të diskutojnë ndërmarrjen e masave ekstreme, përfshirë mundësinë e mbylljes së pikave të derivateve në të gjithë Kosovën.

Në një deklarim për Nacionale të enjten, kreu i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani tha se masa e mbylljes së pompave të derivateve do të vendoset nga përfaqësuesit e shoqatës në mbledhjen e sotme.

“Mbyllja e pompave nuk varet nga unë. Në 09:30 do të flasim. Varet nga të gjithë. Unë i udhëheqi politikat e shoqatës së naftëtarëve. Vendimin do ta marrin të gjitha kompanitë që do të jenë të pranishme. Sot do të vendosin çka do të bëjnë e si do të sillen. Por, unë mendoj që kryeministri Kurti nuk e merr një vendim që dëmton biznesin. Jam i bindur”, tha Berjani.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dje ka thënë se është duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimeve të naftës që do të “mbrojë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit”.

Portali Buletini Ekonomik, bazuar në një draft të këtij vendimi, ka raportuar se ai parasheh kufizime në fitimet e naftëtarëve.

Së paku 2 deri 3 centë do të jetë fitimi për një litër naftë për shitësit me shumicë, ndërsa 6-10 centë do të jetë fitimi për litër për shitësit me pakicë.

Ndërsa 10 centë për litër do të jetë fitimi për shitje me pakicë për subjektet që nuk janë importuese. /Paparaci.com


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje