Lajme

Mbi 300 persona të moshës mbi 85 vjeç janë vaksinuar deri më tani në Prishtinë

Koordinatori i qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, Niman Bardhi, ka thënë se deri sot në mesditë në këtë qendër janë vaksinuar 313 të moshuar mbi moshën 85-vjeçare.

Bardhi ka bërë të ditur se kjo është dita e dytë e vaksinimit të personave mbi këtë moshë dhe se vetëm gjatë ditës së premte janë vaksinuar 109 persona.

“Deri më tani kemi të vaksinuar 313 persona që vetëm ditën e sotme kemi 109. Në mënyrë kontinuele është duke ecur vijueshmëria dhe ardhja e tyre për tu vaksinuar kështu që deri në orët e mbrëmjes do të jetë numër më i lartë”, ka thënë Bardhi.

Ai ka shtuar se për fat të mirë, pavarësisht moshës së shtyrë të personave që po vaksinohen këto ditë, nuk ka pasur ndonjë problem me asnjë prej tyre pas marrjes së vaksinës.

Bardhi ka thënë se vaksinimi i personave mbi moshën 85-vjeçare do të vazhdojë deri më 13 prill ndërkaq pas kësaj date do të nisë vaksinimi i personave mbi moshën 80-vjeçare.