Lajme

Mbi 1,700 raste aktive me Koronavirus, 124 qytetarë po marrin trajtim spitalor

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), në raportin e fundit të publikuar pasditen e djeshme njoftoi se aktualish në vend po përballen me virusin Korona, 1.754 pacientë.

Shumica e këtyre rasteve aktive po trajtohen në shtëpi ndërsa pacientët që kanë simptoma dhe probleme më të theksuara po marrin trajtim spitalor në klinikat e QKUK-së dhe në pesë spitalet rajonale të Kosovës: Prizren, Gjakovë, Pejë, Ferizaj dhe Gjilan..

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), bën të ditur se në mbarë vendin janë hospitalizuar 124 pacientë të konfirmuar me Koronavirus ndërsa 37 raste të tjera janë ende të pakonfirmuara.

Sipas raportit 24-orësh, katër pacientë janë me gjendje të rëndë, të vendosur në respiratorë, 129 janë në oksigjeno-terapi ndërsa 6 janë me maskat oksigjenuese CPAP.

Ndryshe, dje u regjistrua një i vdekur nga Koronavirusi, 62 raste të reja pozitive dhe 85 të shëruar.

Në total që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 15.270 raste pozitive. Prej tyre janë shëruar 12.900 raste ndërsa nga COVID-19, jetën e kanë humbur 616 qytetetarë./Objektiv/