Lajme

Mbi 10 mijë aplikime për një vend pune në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Vetëm 50 pozita janë të lira

Mbi dhjetë mijë persona kanë aplikuar për 50 vende të lira të punës, në një konkurs të hapur nga Ministria e Punëve të Brendshme të enjten e javës së kaluar.

Sipas burimeve të Paparacit brenda MPB-së, për këtë konkurs ku nuk kërkohet diploma e fakultetit e as ndonjë përvojë pune, veç për 5 ditë kanë aplikuar personalisht në zyrat e këtij institucioni mbi 10.500 persona deri më tani.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se përmes emailit llogariten të jenë edhe mbi një mijë aplikantë të tjerë.

Ndërkaq, për shkak të interesimit të madh, Ministria e Punëve të Brendshme, e cila menaxhon me administratën publike, njoftoi të enjten padite se e ka shtyrë afatin për aplikim lidhur me këtë konkurs deri më 15 gusht.

Interesimi vërehet lehtësisht në fotografitë që kanë dërguar qytetarët në adresën e Paparacit, ku shihen radhë të gjata të qytetarëve që presin para ministrisë për aplikim për punë.

Konkurset për punësim në Administratën Publike janë përdorur tradicionalisht nga partitë në pushtet për “rehatimin” e militantëve partiakë.

Kësisoj, kjo tregon edhe nevojën e punësimit të kosovarëve dhe nivelin e papunësisë në anën tjetër.

Megjithatë, sipas konkursit, të pranuarit për këtë pozitë do të punojnë në Qendrat për Pajisje me Dokumente dhe Qendrat për Regjistrimin e Automjeteve në Komunat Kosovës.