Lajme

Masakra e Reçakut përmes fotografive

“Krim kundër njerëzimit”

Sot u bënë 21 vjet nga Masakra e Reçkut, ku u masakruan barbarisht nga forcat serbe 45 shqiptarë të paarmatosur. Kjo nuk ishte masakra e vetme që forcat serbe bënë në Kosovë, por cilësua si një ndër më të rëndat për të cilën dëshmoi atëkohë edhe Ambasadori i OSBE-së, William Walker.

Ai Masakrën e Reçakut e cilësoi si krim kundër njerëzimit. “Unë i akuzoj forcat policore dhe ushtarake serbe se janë përgjegjës për këtë masakër. Para disa ditësh, UÇK-ja liroi 8 ushtarë serbë. Prisnim një masë reciprociteti. E çka kemi në vend të saj? Vrasje të 40 civilëve të pafajshëm. Dëshiroj të di se kush ka dhënë urdhër.

Duhet të dalin para drejtësisë. Nuk jam jurist, por, sipas meje, këtu ka ndodhur një krim kundër njerizimit”, pat thënë atëherë Walker.

Kjo masakër ishte pika e kthesës për luftën e Kosovës,duke bërë që të ndërhyjë NATO në ndalimin e gjenocidit serb në Kosovë. “Besoj sinqerisht, se incidenti i Reçakut, për arsye të ndryshme ka çuar në ndërhyrjen e NATO-s, lirinë dhe pavarësinë. Ka pasur faktorë të ndryshëm në atë që ka ndodhur, por pas disa viteve të informatave dhe dëshmisë që Sllobodan Millosheviq po trajtonte popullatën shqiptare në mënyrë barbare është mundësuar ndërhyrja e NATO-s”, pati thënë Walker.

Serbia jo që nuk ka kërkuar falje për krimet që ka bërë në Kosovë, por shkuar edhe në pikën e mohimit. Presidenti aktual serb, Aleksander Vuçiç, në një deklaratë, muaj më parë tha se “Masakra e Reçakut” është vetëm një trillim i William Walker-it. Sigurisht kjo është një përpjeke e Serbisë për të mohuar krimet në Kosovë . Masakra u dëshmua edhe përmes raportimeve të mediave ndërkombëtare që atë kohë përcillinin luftën në Kosovë./21Media