Lajme

Martesa e vëllait të deputetes Kusari-Lila, reagon Ambasada Amerikane

I ngarkuari me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Nicholas Giacobbe, ka dënuar raportimet e mediave rreth martesës së Ylber Kusarit, vëllait të deputetes Mimoza Kusari-Lila, me partnerin e tij.

Giacobbe, në një postim në Twitter, ka shkruar se homofobia nuk ka vend në shoqëritë demokratike, teksa ka shtuar se të drejtat e njeriut duhet të mbrohen dhe respektohen“Homofobia dhe format e tjera të diskriminimit me urrejtje nuk kanë vend në shoqëritë moderne, të ndryshme dhe demokratike.

Ne të gjithë ndajmë përgjegjësi të barabartë për të siguruar që të drejtat themelore të njeriut të çdo personi mbrohen dhe respektohen”, shkruan ai.

Nicholas Giacobbe në postimin e tij ka bashkangjitur edhe reagimin e Organizatës Joqeveritare “Cel Kosovo”, nëpërmjet së cilit ata kanë dënuar raportimet e mediave mbi orientimin seksual dhe martesën e një qytetari në Kanada.

“Me publikimin e këtij lajmi në mënyrë senzacionale, duke përdorur tituj tendenciozë dhe me potencimin e panevojshëm të lidhjes familijare të personit në fjalë me një politikane në Kosovë është cënuar rëndë privatësia e tij dhe e familjarëve, si dhe janë shkelur parimet themelore të kodit etik të gazetarisë.

Këto raportime senzacionale dhe joprofesionale kanë nxitur një numër të madh të fyerjeve, kërcënimeve dhe gjuhë të urrejtjes, duke e fuqizuar një situatë të pasigurt për personat LGBTI në Kosovë”, shkruhet në reagimin e tyre.

Tutje ata kanë kërkuar që mekanizmat që merren me mediat të ndërmarrin veprime p%r ndaljen e komenteve denigruese dhe dënimin e nxitjes së urrejtjes.

“I bejme thirrje mekanizmave vetëkontrollues të mediave që të reagojnë dhe te ndermarrin veprime përkatëse ligjore dhe etike, për të ndalë komentet denigruese dhe për të dënuar nxitjen e urrejtjes që është vepër penale sipas Kodit Penal, Neni 141, paragrafi 1”, shkruhet tutje në reagim.

Pas raportimeve të djeshme të bëra nga media të ndryshme në vendin tonë për martesën e vëllait të deputetes Kusari, ndaj tij shpërthyen komente të cilat përmbanin gjuhë fyese dhe njëkohësish gjuhë që nxitë urrejtje mbi bazën e orientimit seksual.