Lajme

LVV: Grainca nuk ka profil në rrjete sociale, do t’i lajmërojmë në polici faqet që po shpërndajnë lajme

Ditëve të fundit një profil me emrin e deputetes së LVV-së, Adelina Graincës ka shpërndarë disa statuse, përfshirë këtu edhe një lajm për kalimin e saj në partinë e Albin Kurtit dhe xhaxhain e saj për të cilin u tha se ka bërë pazare me Vetëvendosjen, raporton Gazeta Express.

Mirëpo, në LVV po thonë se ky profil nuk është zyrtari i deputetes në fjalë.

Nga zyra për media e LVV-së kanë thënë për Express-in se profili i saj është në proces të verifikimit e se faqet që po shpërndajnë lajme në emër të saj do të paraqiten në polici.

“Aktualisht deputetja Grainca është në procedurë të verifikimit të profilit dhe faqes së saj. Faqet të tjera që shpërndajnë lajme nuk janë të saja dhe janë duke bërë shkelje e do të paraqiten në polici. Sapo të verifikohet faqja do të ju njoftojmë zyrtarisht”, thuhet në përgjigjen e LVV-së.

Deputetja Grainca është zhdukur nga rrjetet sociale në ditën kur ajo ka votuar pro Vjosa Osmanit për presidente.

Në adresë të saj kanë shkuar thirrje për ta dorëzuar mandatin e deputetes te PDK-ja pas kalimit në LVV.