Lajme

Lutfi Haziri shkon në vendin ku ndodhi vrasja e shumëfishtë në Gjilan

Një vrasje e shumëfishtë ka ndodhur sot në Gjilan. Një zyrtare policore dyshohet se ka vrarë prindërit, vëllezërit dhe veten, raporton Express.

Pas Drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalajt, drejtorit të Departamentit për Operacione, Afrim Ahmeti, dhe drejtorit të Departamentit për Hetime, Riza Shillova, në vendin e ngjarjes është parë duke shkuar edhe Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Haziri, ka shprehur tronditjen e thellë pas kësaj tregjedie.

Ai ka mbledhur organet emergjente të sigurisë dhe drejtësisë, duke marrë përsipër menaxhimin e situatës rëndë.

“Komuna e Gjilanit e bashkëndjen dhembjen e madhe me familjen e gjerë dhe e lusim Zotin që raste të tilla të mos përsëriten kurrë”, ka thënë Haziri.

Rastin e ka konfirmuar Prokuroria Themelore e Gjilanit përmes një komunikate drejtuar medieve.

“Sipas informatave të para, dyshohet se në lagjen ‘’Bujanina’’ në Gjilan, e ndjera V.B., zyrtare policore, në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa, pastaj ka kryer vetëvrasje”, thuhet në komunikatën e prokurorisë./Gazeta Express