Lajme

Lutfi Haziri: Pa Thaçin s’ka delegacion, Hoti nuk shkon në Uashington

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ka thënë se kryeministri i Kosovës nuk do të anuloj vizitën e tij në Bruksel me datën 25 qershor, por nuk do të shkojë në Uashington më 27 qershor në takimin e thirrur nga i Dërguari Special i SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Hoti do të takohet nesër me liderë të BE’së në Bruksel. Po ashtu, në të njëjtën datë në Bruksel do të jetë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Lutfi Haziri ka thënë në Syri Tv se Hoti do të vazhdojë me itinerarin e tij për takimin në Bruksel, ndërsa ka shtuar se kryeministri nuk do të udhëtojë për në Uashington pas aktakuzës që është ngritur ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

LEXO EDHE:  Memli Krasniqi: Me Kurtin kryeministër kemi vetëm telashe e kriza, jemi më pak sovran

‘’Pa Thaçin s’ka delegacion, Hoti nuk shkon në Uashington’’, ka thënë ai.

Haziri ka thënë se pa Thaçin, delegacioni i Kosovës nuk do të jetë i kompletuar.

Delegacione nga Kosova dhe nga Serbia ishte paraparë të takohen në Uashington më 27 qershor.

Thaçi ishte nisur për në Uashington në momentin kur e mori lajmin se ndaj tij Gjykata Speciale ka ngritur aktakuzë për krime lufte. Thaci vendosi të anuloj vizitën e tij në Uashington dhe nesër do të kthehet në Kosovë. /Express/