Lajme

Limaj: Presidenti t’i shmangë zgjedhjet e parakohshme

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pas takimit që ka pasur sot me presidentin Hashim Thaçi, në një deklaratë për media ka thënë se i ka kërkuar presidentit që ta respektojë në çdo pikë Kushtetutën.

Limaj, po ashtu, ka thënë se ka kërkuar nga kreu i shtetit që t’i shmangë zgjedhjet e parakohshme, pas situatës në të cilën gjendet vendi nga virusi korona. Limaj njoftoi se Nisma do të jetë pjesë e qeverisës gjithëpërfshirëse, por që ka disa kushte. “Takimi i sotëm ishte me fokus në ngjarjet pas mocionit të qeverisë. Ne si Nismë deklaruam se duhet të respektohet çdo procedurë dhe Kushtetuta e Kosovës. Nuk kemi asnjë problem në Kushtetutën në të cilën gjendet vendi. Kërkuam që atë ta respektojë pikë për pikë, hapat që parasheh Kushtetuta në situatën që jemi”, tha Limaj.

Lideri i Nismës deklaroi se askush nuk mund t’i uzurpojë kompetencat e Kuvendit. “Presidenti duhet ta shikojë mundësinë që t’i shmangë zgjedhjet e parakohshme. Ta ruajmë kompetencën e secilit institucion. Ka pasur përzierje të kompetencave në Kuvend. Askush nuk mund t’i uzurpojë kompetencat e Kuvendit”, ka thënë ai.

Mes të tjerash, Limaj ka treguar se nëse presidenti tenton ta bëjë shpërndarjen e Kuvendit, atëherë kjo është shkelje e Kushtetueses ngaqë këtë, siç ka thënë ai, mund ta bëjnë vetëm deputetët. “Presidenti nuk ka hapësirë ta shpërndajë Kuvendin pa vullnetin e shumicës politike. Është rrezik të jepet kjo kompetencë, se është e drejtë kushtetuese”, tha ai.


SHIKO EDHE: 7 SIMPTOMAT QË JU TREGOJNË NËSE KENI COVID-19