Lajme

Liberalizimi i vizave, Kurti jep lajmin e fundit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është takuar në Bruksel me Komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.

Në këtë takim u bisedua mbi marrëdhënien ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian në kontekstin e marrëveshjes kontraktuale të Stabilizim-Asociimit, si pjesë e procesit të integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, me theks te angazhimi i vazhdueshëm dhe progresi që Kosova ka bërë për reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Kryeministri Kurti e vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian për reforma dhe përsëriti kërkesën që shtetet anëtare brenda Këshillit të BE-së të marrin vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Në takimin që i paraprinë mbledhjes së katërt të Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, ishin edhe Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bruksel, Astrit Zemaj.