Lajme

LDK drejt zyrtarizimit të koalicionit me Vetëvendosjen

LDK-ja po përgatitet për një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit.

Burimet e Syri.net Kosova kanë thënë se ende nuk ka një pajtim se kush do t’i prijë listës së përbashkët dhe cili do të jetë kandidati për kryeministër, por disponimi i përgjithshëm është në favor të një koalicioni parazgjedhor, që do ta dërgonte PDK-në në opozitë.

Emri i Vjosa Osmanit lakohet më së shumti, por burimi ynë ka theksuar se vendimin do ta marrë Këshilli i Përgjithshëm i partisë.

VV e ka Albin Kurtin kandidat për kryeministër, i cili i ka bërë thirrje LDK-së që të hyjnë në një koalicion së bashku. Sipas Kurtit, nëse ndodh kjo, atëherë LDK-VV, do të fitonin 70 deputetë dhe u mjafton një parti e vogël që të kenë dy të tretat në Kuvend.

Burimet e Syri.net Kosova konfirmojnë se kryetari i LDK-së, nuk do të jetë pjesë e Listës së kandidatëve për deputetë.

Ndërkohë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka pritur në takim Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Sardi.

Ambasadori Sardi e uroi kryetarin Mustafa për rizgjedhjen në krye të LDK-së dhe theksoi që Kuvendi Zgjedhor ishte një takim i rëndësishëm në udhëtimin demokratik të LDK-së dhe vendit.

Kryetari Mustafa e njoftoi Ambasadorin Sardi për përgatitjet e LDK-së për zgjedhjet e përgjithshme në të cilat LDK parapëlqen që të gjitha partitë të shkojnë të vetme. “LDK do të përcjellë veprimet e partive tjera dhe do të ndërmerr veprime në përputhe me rrethanat politike.

LDK nuk ka shumë disponim për koalicione parazgjedhore por mbi të gjitha po punojmë të fitojmë zgjedhjet në mënyrë që partitë që sot janë në opozitë të formojnë Qeverinë e re të Kosovës me një shumicë të qëndrueshme që u bën ballë temave të mëdha me të cilat po ballafaqohet vendi”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Sipas komunikatës në Qeverinë e re LDK do të përqendrohet në zhvillimin ekonomik, përkrahjen e sektorit privat, avancimin e arsimit dhe shëndetësisë, sundimit të rendit dhe ligjit, luftimin e korrupsionit si dhe integrimet euroatlantike me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të Kosovës.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?