Lajme

LDK: Do të vazhdojmë negociatat me VV’në, nuk kemi barrikada

Pas mbledhjes tri orëshe të kryesisë së LDK-së, u tha se kjo parti është unike në arritjen e marrëveshjes qeverisëse më Lëvizjen Vetëvendosje, teksa nuk u konfirmua se sot do të arrihet kjo marrëveshje.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa tha se tha se LDK nuk është duke e bërë pozitën e barrikaduesit.

“Ka përfunduar takimi i Kryesisë së LDK-së dhe ne jemi unikë e të bashkuar në qëndrimet tona. Kemi përafrime substanciale me LVV-në. Takimet do të vazhdojnë deri në arritjen e marrëveshjes, me qëllimin qe ta kemi një koalicion bashkëqeverisës”.

“Nuk kemi barrikadime, jemi duke diskutuar dhe negociuar për të ndërtuar mirëbesim dhe mirëkuptim që se bashku të arrijmë deri tek një marrëveshje për bashkëqeverisje”.

“Jemi unikë, të bashkuar në qëndrimet e përbashkëta. Jemi duke ndërtuar mirëbesim dhe mirëkuptim me LVV-në dhe të gjitha temat do të diskutohen në mes të liderëve”, ka thënë Mustafa.

“Kemi vullnet dhe jemi duke punuar për të arritur një marrëveshje. Pjese e marrëveshjes dhe e negociatave është që të gjitha palët të bëjnë kompromise. Diskutimi do të vazhdojë në tavolinën e negociatave në mes të dy partive tona”, deklaroi Mustafa.

Nga ana tjetër, pas mbledhjes disa orëshe të kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka deklaruar se nuk mund të thotë me garancë se do të ndodhë marrëveshja për koalicionin qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës, meqë ekzistojnë barrikadime nga ana e LDK-së.

Haxhiu ka thënë se janë shumë të interesuar për marrëveshje, por derisa ka barrikadime të tilla si kërkesa për postin e presidentit, nuk mund të ketë koalicion qeverisës. Haxhiu tha se nuk duhet krijuar shpresa te qytetarët duke iu thënë se patjetër do të bëhet koalicioni.

Haxhiu tha se sot në orën 16:00 në Kuvendin e Kosovës e kanë takimin e radhës dhe do të bëjnë përpjekjet maksimale për të arritur marrëveshjen.

“Do të bëjmë përpjekje siç kemi thënë në vazhdimësi për të arritur koalicionin ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së, por padyshim nuk mund të themi me siguri të plotë që kjo do të ndodhë, për faktin se në anën tjetër barrikadime dhe unë mendoj se për sa kohë kemi barrikadime të tilla nga qëndrimet, nuk mund të kemi një koalicion qeverisës. Megjithatë, siç kemi shprehur në vazhdimësi vullnetin dhe angazhimin tonë do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtin por nuk mund të them që do të ketë garancë, këtë po e përmend me arsyetimin që sot sapo lexova deklarata që kjo tashmë do të arrihet, besoj që nuk është në rregull që para qytetarëve të krijojmë shpresa që do të bëhet koalicioni”, tha ajo. /Lajmi.net/


SHIKO VIDEON