Lajme

Latifi: Në libër, Schmitt e paraqet Skënderbeun si një rebel pa kauzë që ka vdekur si njeri i mjerë

Profesori universitar, Blerim Latifi, thotë se në librin “Skënderbeu” të Oliver Schmitt, Gjergj Kastrioti paraqitet i luftëtar pa kauzë. Këto kritika nuk i ka pranuar autori. Debati u zhvillua në emisionin Pressing në T7.

“Schmitt po thotë se për mendimin e tij Skënderbeu është një figurë madhështore. Por kur e lexon atë libër (Skënderbeu) nuk vjen deri te ky konstatim”, thotë Latifi.

“Kur e lexon librin e profesorit Schmitt për Skënderbeun e ke përshtypjen se Skënderbeu ka qenë një rebel pa kauzë, që ka luftuar kot 25 vjet dhe në fund ka vdekur si një njeri i mjerë. Mjafton me i lexuar faqet e fundit, ku paraqet ditët e fundit të jetës së tij, do të thotë të fut në gjynah, të vjen keq, e paraqet një luftëtar rebel pa kauzë”, tha Latifi në emisionin Pressing në T7.

“Për mendimin tim, problematika e këtij libri nuk është te etnia e Skënderbeut, por ajo që është problematike, do të thotë një ide që e redukton Skënderbeun në një figurë pothuajse groteske të konflikteve të mëdha të cilat zhvillohen në atë periudhë”, tha ai.

“Një njeri 25 vjet nuk lufton kot, as pa një kauzë”, theksoi Latifi.

Schmit tha se nuk pajtohet me mendimin e Latifit duke treguar arsyet.

“Unë mendoj se interpretimi i librit është i ndryshëm, sepse ai (Skënderbeu) ka ndjek një strategji shumë të qartë dhe si rezultat kemi marrëveshje me Papën dhe ideja ishte krijimi i një mbretërie të Arbërisë. Domethënë Skënderbeu si udhëheqës i një Kryqëzate në Ballkan nga ana tjetër Papa i ka ofruar kurorën si mbret i Arbërisë. Kjo është e qartë”, thotë Schmitt.

“Ai ka bashkëpunuar me Kishën katolike, bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë ishin priftërinjë katolikë, kjo tregon shumë qartë se ai nuk ishte një aventurierë pa kauzë por ka ndjek një strategji të qartë. Ishte i vetmi politikan në Ballkan që nuk ka pranuar një ftesë nga ana e Sulltanit”, tha Schmit.