Lajme

Latifi i thotë Dautit: Të jesh racist ndaj popullit tënd është hajvanllak i dyfishtë

Gazetari kosovar, Daut Dauti, ka shpërthyer në kritika ndaj shqiptarëve, duke thënë se janë të fundit në listë sa i përket shkallës së civilizimit. E në lidhje me këto kritika ka reaguar filozofi Blerim Latifi.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Latifi ka thënë se ka mbetur i habitur me atë çka ka lexuar sepse sipas tij Daut Dauti nuk kishte lënë gjë të keqe pa thënë për shqiptarët. Por më e rënda për Latifin është klasifikimi kulturor i shqiptarve që ka bërë gazetari Dauti.

Blerim Latifi thotë se të jesh racist ndaj pjestarëve të një populli tjetër është hajvanllak, por të jesh racist ndaj popullit tënd është hajvanllak i dyfishtë, duke iu referuar gazetarit Dauti.

Postimi i plotë i Blerim Latifit:

E lexova një shkrim të Daut Dautit, gazetar kosovar, që prej vitesh jeton në Londër. Mbeta i habitur, me atë çka lexova. Autori s’kishte lënë gjë të keqe pa thënë për shqiptarët, por më e rënda ishte ajo për klasifikimin e tyre kulturor. Po të bëjmë një listë të popujve të civilizuar të Europës,- thotë autori, – shqiptarët janë në fund të saj. Kur e lexon këtë fjali, pyetja e menjëhershme që të vjen në mendje është: autori i saj a është i padijshëm apo është një racist i çmendur? Sepse ideja se ekziston një kierarki e popujve më pak e më shumë të civilizuar, është vetë thelbi i racizmit, atij që sot njihet si racizëm kulturor. Të jesh racist ndaj pjestarëve të një populli tjetër, është hajvanllak, por të jesh racist ndaj popullit tënd është hajvanllak i dyfishtë. Madje në të gjitha pikëpamjet e mundshme: logjike, morale e antropologjike.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?