Lajme

Latifi: Grenell i dha fund përrallave dhe heroizmit të çajtoreve për “shkëmbime territoresh”

Profesori universitar Blerim Latifi, ka reaguar pas deklaratës së dërguarit Special të SHBA’ve për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell se ideja për shkëmbimin e territoreve nuk ishte e Presidentit Trump, por e ish-këshilltarit për Siguri John Bolton.

Latifi ka shkruar se deklarata e Grenellit i jep fund përrallave tona mi heronjtë dhe tradhtarët në dramën e shkëmbimit të territoreve.

Ai ka thënë se heroizmi i çajtoreve tona politike shpesh ia kujton fabulën për miun dhe elefantin që kalonin urën.

“Derisa ura po dridhej, miu thoshte me vete: Shih si po dridhet ura prej meje”, ka shkruar Latifi.

Postim i plotë nga Latifi:

Intervista e Grenell në “Fox News” ka një rëndësi të madhe për debatin politik në Kosovë. Ajo u jep fund përrallave tona mbi heronjtë dhe tradhtarët në dramën e shkëmbimit të territoreve.

Ideja e shkëmbimit të territoreve paska qenë thjesht plan i John Boltonit dhe heqja dorë nga kjo ide nuk erdhi nga “rezistenca jonë heroike”, por nga fakti se Boltoni u shkarkua nga detyra.

Prishja e vrazhdë e Boltonit me Trumpin natyrisht që nënkuptonte edhe largimin e secilit projekt të tij nga politikat e Shtëpisë së Bardhë.

Heroizmi i çajtoreve tona politike shpesh ma kujton atë fabulën për miun dhe elefantin që po kalonin urën. Derisa ura po dridhej, miu thoshte me vete: Shih si po dridhet ura prej meje!


SHIKO EDHE: A JENI INFEKTUAR ME COVID-19