Lajme

Alarm për rritjen e infektimeve me Covid-19, mbyllen restorantet dhe këto sektore

Gjermania do të aplikojë një mbyllje emergjente njëmujore, në të cilën përfshihet mbyllja e restoranteve, palestrave dhe teatrove, për të frenuar shtimin alarmant të rasteve të reja me koronavirus që rrezikon të mbingarkojë spitalet, ka thënë kancelarja gjermane Angela Merkel të mërkurën, raporton agjencia Reuters.

“Duhet të marrim masa tash”, ka thënë ajo, duke shtuar se situata aktuale është shumë serioze dhe se për të zbutur atë duhet reduktuar kontaktet.

Masat e reja do të hyjnë në fuqi nga 2 nëntori, ndërsa me to do të kufizohet tubimi i vetëm dhjetë personave nga maksimalisht dy familje në tubime private. Restorantet, baret, teatrot, kinematë, pishinat e palestrat do të mbyllen dhe koncertet do të anulohen.

Sportet profesioniste do të lejohen vetëm pa shikues. Njerëzve do t’u kërkohen të mos udhëtojnë privatisht dhe pa arsye esenciale. Fjetjet gjatë natës në hotele do të jenë në dispozicion vetëm për udhëtime të nevojshme biznesore.

Shkollat dhe qendrat e kujdesit ditor do të mbesin të hapura, siç do të mbesin të hapura edhe shitoret, përderisa i përmbahen rregullave të distancës sociale dhe higjienës. Rregullat nacionale zëvendësojnë masat konfuze rajonale që ishin aplikuar.

Një pako për ndihmë prej 10 miliardë euro do të ndahet për të paguar kompanitë që kanë pësuar humbje si pasojë e pandemisë për shkak të mbylljes. Kompanitë e vogla, me deri 50 punonjës, do të marrin 75 për qind të hyrave që kishin regjistruar një vit më parë për muajin nëntor.

Gjermania është përgëzuar që e ka mbajtur ulët numrin e të infektuarve dhe të vdekurve gjatë valës së parë.

Por rastet janë rritur në 14.964 në 24 orët e fundit. Po ashtu kanë vdekur 85 persona, duke çuar shifrën totale të vdekurve në 10.183.

“Sistemi ynë shëndetësorë ende mund të përballojë me këtë sfidë të sotme, por shpejtësia e rritjes së infeksionit mund të ndikojë që të arrihen limitet brenda pak javëve”, ka thënë Merkel.

Ajo ka thënë se autoritetet shëndetësore më nuk janë në gjendje të gjurmojnë origjinën në 75 për qind të infeksioneve, që e ka bërë të vështirë të thuhet çfarë masa saktësisht do të kenë ndikimin më të madh.