Lajme

Lajmi i fundit nga pika kufitare në Jarinjë

Janë bërë një javë që nga vendosja masave të reciprocitetit ndaj automjeteve me targa të Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Situata sonte në Jarinjë është e qetë dhe se sot numri i protestuesve është më i vogël, derisa rruga vazhdon të mbetet e bllokuar.

Protestuesit tashmë po mblidhen rreth 2 kilometra larg këtij vendi, matanë urës që e kanë bllokuar vetë përmes kamionëve me zhavor.

Rutinën e kanë të njëjtë. Muzikë, skarë e pije sikurse dëshmohet nga mbetjet e shisheve.

Herë-herë lëshohen edhe fjalime të shoqëruara me alarm. Megjithatë, këto thirrje nuk u shndërruan në incidente. Lëvizje të dyshimta nuk ka as në Zubin Potok ku një natë më parë u dogj Qendra për Regjistrim të Automjeteve.

Posa zbardh e diela, në rrugët e kësaj komune veriore zbarkojnë automjetet me grupin e policëve që do ta mbajë ndërrimin e ditës. Dorëzim-pranimi i detyrës ndodh në sy të protestuesve që nuk shfaqin reagim. Edhe zyrtarët e rendit e kryejnë punën e tyre si duhet.

Numri i kundërshtuesve të reciprocitetit që ishte i vogël gjatë natës, fillon të rritet kah mesdita kur në turmë bashkohen edhe qytetarë tjerë, mes tyre edhe gra.

Kujtojmë, se të hënën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.

Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet.

Jarinja dhe Bërnjaku, dy vendkalimet kufitare në veri të Kosovës – ku popullsia është shumicë serbe – janë bllokuar nga banorët lokalë që e kundërshtojnë vendimin për reciprocitet.

Atje janë vendosur njësitë speciale të Policisë së Kosovës.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?