Lajme

LAJMI I FUNDIT : Fillojnë arrestimet, Specialja e konfirmon të arrestuarin e parë

Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka konfirmuar se tashmë i ka nisur arrestimet. Ish-eprori i UÇK-së në Zonën Operative të Llapit, Salih Mustafa, është i arrestuari i parë.

Përmes një komunikate për media, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se aktakuza ndaj Salih Mustafës është konfirmuar.

“Salih Mustafa u arrestua sot në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi, urdhri për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Ata kanë njoftuar po ashtu se Salih Mustafa është duke u transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake pa vonesë të papërligjur, njofton Klan Kosova.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka sqaruar se sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë Policisë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës.

“Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit është konfirmuar aktakuzë, merret në ndalim në zbatim të urdhërarrestimit ose fletarrestimit të lëshuar nga Dhomat e Specializuara”.

Ish-eprori i UÇK-së në Zonën Operative të Llapit dhe ish-shefi i inteligjencës së FSK-së Salih Mustafa ishte intervistuar nga prokurorët e Dhomave të Specializuara në nëntor të vitit të kaluar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte