Lajme

Lajm i mirë: Ky është vendimi i Qeverisë për ekzekutimin e 100 eurove për sektorin privat

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar tri vendime. Njëri nga ta lidhet me shtesat prej 100 eurove për punëtorët e sektorit privat.

Pas shqyrtimit të kërkesës së Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, është miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike për masën 3.6 – Mbështetja e likuiditetit familjar dhe masën 4.4 – Mbështetja e sigurisë.

Sipas vendimit janë ndarë 35 milionë euro për zbatimin e masave për shtimin e mbështetjes për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe 35 mijë euro për mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes në kuadër të masës për mbështetjen e sigurisë.

Mjetet do të ndahen për zbatimin e shtesës prej 100 Euro për punonjësit e sektorit privat.

Kujtojmë, për zbatimin e shtesës prej 100 Euro për punonjësit e sektorit publik që marrin pagë nga buxheti i shtetit, Qeveria kishte ndarë 7 milionë euro më 27 prill të këtij viti.

Vlera totale e të gjitha këtyre masave është mbi 100 milionë euro dhe nga këto masa do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë.

Në këtë mbledhje elektronike po ashtu janë miratuar në parim kërkesat e ndërmarrjeve publike për huamarrje deri në 34 milionë e 275 mijë euro.

Për KOSTT Sh.A. është aprovuar vlera e huamarrjes deri në 26 milionë e 500 mijë euro ndërkaq për Telekomin e Kosovës Sh.A., 7 milionë e 775 mijë euro./Telegrafi/


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?