Lajme

“Laboratori i Kurtit”, njohësit e ekonomisë e quajnë eksperiment planin për punësime 6 muajshe

Masa e prezantuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “Qeveria për familjet” nuk e zgjidh problemin e papunësisë në Kosovë, i ka thënë Gazetës Express, Arben Mustafa, “ministër” i Financave i Qeverisë në Hije të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Kjo pasi, sipas tij “papunësia në Kosovë është problem strukturor ekonomik”, duke shtuar se si e tillë “nuk zgjidhet me fraza populiste”, epitet që ia atribuon Albin Kurtit.

E kreu i ekzekutivit, ka thënë të dielën përmes një videoje të postuar në Facebook, se masa “Qeveria për Familjet” ka synim që çdo familja ta ketë nga një punësuar.

Pas kësaj, të hënën ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka dalë në një konferencë për media ku ka treguar se për gjashtë muaj Qeveria do të subvencionojë 70 për qind e pagës bruto prej 300 eurove. Por për këtë duhet të aplikojnë bizneset që kërkojnë punëtorë, të njëjtën gjë duhet ta kryejnë edhe punëtorët që s’kanë punë dhe njëkohësisht as një anëtar të familjes të punësuar.

Megjithatë, kjo politikë s’është e duhur për profesorin e Ekonomisë, Musa Limani i cili në një prononcim për Express ka vënë në pah dyshime se çfarë do të ndodh me punëtoret pas kësaj faze.

“Çka do të ndodhë me të punësuarit pas 6 muajve kur u skadon kontrata e tyre e punës. Përsëri situata do të kthehet në gjendjen e mëparshme, por më e ndërlikuar, sepse do të ketë pasoja psikologjike, politike, ekonomike e sociale te punëtorët të cilëve u pushon vendi i punës”, ka paralajmëruar ai.

Ka shtuar se do të ishte politikë e duhur sikur të mos ekzistonte kriteri “një anëtar për familje”, si dhe të mos kishte limite të tilla kohore.

Por për zgjidhjen e problemit të papunësisë krejt ndryshe mendon Arben Mustafa i cili beson se formula e duhur janë investimet kapitale, rritja e prodhimtarisë si dhe përshtatja e arsimit me tregun e punës.

“Për të adresuar problemin e parë, atë të kërkesës së pamjaftueshme në ekonominë e Kosovës, si nevojë më urgjente është që Qeveria t’i kthehet investimeve publike kapitale, të cilat asnjëherë nuk kanë qenë më të ulëta se aktualisht. Kur ka kaluar gjysma e vitit 2022, shkalla e realizimit të projekteve kapitale publike vlerësohet të jetë diku rreth vetëm 10% në raport me planin vjetor”, ka thënë ai.

Ka pretenduar se “investimet kapitale të Qeverisë janë të domosdoshme për të rritur kërkesën e përgjithshme në planin afatshkurtër dhe për të krijuar kushtet për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në planin afatgjatë”.

Për planin afatgjatë, Qeveria e Kosovës është zotuar vazhdimisht se punësimin e ka prioritet. Aktualisht papunësia në vend është më shumë se 25 për qind, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Në të njëjtën kohë, ka edhe kërkesa të kompanive për punëtorë. Sipas një raporti të Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), të botuar në prill të këtij viti, ka një diskrepancë ndërmjet aftësive që i ofron universiteti dhe nevojave të cilat i ka tregu – si rrjedhojë ka çrregullim të tregut.

Nga një këndvështrim i ngjashëm, Arben Mustafa “ministër i Financave” në hije i PDK-së, ka thënë se ekzekutivi në planin afatgjatë duhet të bëjë harmonizim të programeve.

“Qeveria duhet të ofrojë programe të aftësimit profesional për të papunët ekzistues në mënyrë që ata të përfitojnë aftësitë e kërkuara nga tregu i punës. Ndërsa, në një plan më afatgjatë, Qeveria duhet t’i përshtatë programet e arsimit të mesëm dhe të lartë në atë mënyrë që sistemi arsimor i vendit të prodhojë një fuqi punëtore më të aftë për t’iu përshtatur nevojave te tregut”, ka deklaruar ai teksa ka folur për papunësinë.

E për papunësinë po flasin edhe Kurti e Murati, të cilët thonë se masa “Qeveria për Familjet” do të ndikojë pozitivisht në uljen e numrit të qytetarëve që s’kanë punë.

Por për profesorin Limani një politikë e tillë merr kohë – e tash gjendja është e jashtëzakonshme shkak i krizës ekonomike.

“Realizimi i saj do të prollongohet më së paku deri në fund të këtij vit, sepse do të ketë punë të mëdha administrative e formale-juridike”, ka thënë profesori.

Edhe Mustafa thotë se Qeveria s’ka kohë për “eksperimente të tilla”, sipas tij “duhet të veprojë më ndryshe”.

“Qeveria e Kosovës duhet ta kuptojë se vendi gjendet në krizë ekonomike dhe nuk ka kohë të humbë me eksperimente të tilla që shpërdorojnë paranë publike! Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për të ardhura të qëndrueshme nga punësimi dhe jo për lëmosha të kohëpaskohshme”.

Pos kësaj vendit mund t’i shtohet edhe një tjetër problem, pra – deficiteti buxhetor. Pasi politikat sociale rrjedhimisht shkaktojnë kosto buxhetore.

“Pa marrë parasysh se çfarë efekte do të kenë këto masa, do të paraqesin ngarkesë në të hyrat buxhetore të Kosovës”, ka thënë profesori Limani.

Në Kosovë ka familje pa as një të punësuar

Edison Jakurti, ekspert i ekonomisë, beson se një politikë e tillë e Qeverisë është e nevojshme.

Pasi sipas tij janë mijëra familje të papunësuara në Kosovë.

“Sa për kuriozitet, Masa 15 e Pakos Fiskale Emergjente e targetonte pikërisht këtë kategori. Këtë mund ta konfirmojnë me saktësi nga Ministria e Financave por, sa më kujtohet, për këtë masë ishin pranuar diku 60 mijë aplikimi dhe pritej që diku 1/4 të ishin valide. Pra, pritjet ishin që do të dalin rreth 15 mijë familje për të cilat shteti nuk e ka asnjë dëshmi që kanë dikë të punësuar apo përfitojnë nga skemat sociale. Do t’ishte kriminale të dihej ky numër e të neglizhoheshin këto familje. Prandaj, kjo skemë është e domosdoshme”, ka shkruar ai në Facebook.

Kosova në krizë

Tashmë inflacioni ka prekur shifrën dyshifrore, është mbi 14 për qind, thonë të dhënat e ASK-së.

Sektori me i ndjeshëm është ai i ushqimit, që sipas po këtyre të dhënave e kalon 20 përqindshin.

E në këtë kohë opozita e Kosovës është duke kërkuar veprime nga ekzekutivi.

Tërheqjen e një pjese të trustit, lirimin e akcizës për karburantet si dhe zbritjen e TVSH-së janë disa prej propozimeve të opozitës.

Të gjitha këto ide i ka hedhur poshtë Qeveria e cila drejtohet nga Albin Kurti.

“Janë ide populiste”, i ka cilësuar Kurti, kryeministër që nga vetë opozita etiketohet si “populistë”. Pra një skenë politike si e tërë atakohen dhe atakojnë mbi konceptin e populizmit. /Express