Lajme

“Ky shtet i madh do ta tërheq njohjen e Kosovës”

Mediat serbe paralajmërojnë tërheqje të re të njohjes së Kosovës.

Egjipti është gjithnjë e më afër vendimit për tërheqjen e njohjes së Kosovës kurse marrëveshja përfundimtare mund të arrihet gjatë vizitës në Beograd të kreut të diplomacisë së këtij shteti, Sameh Shoukry, shkruan e përditshmja serbe “Veçernje Novosti”.

Sipas saj, beteja diplomatike e radhës e Serbisë është që Egjipti të jetë shteti I 11-të që tërheq njohjen e Kosovës në periudhën e fundit, transmeton lajmi.net.

Egjipti ishte një prej shteteve që abstenuan në votimin e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL ndërsa “Novosti” shton se nëse Kairo tërheq njohjen e shtetit të Kosovës atëherë mund të nxitet një “efekt domino i tërheqjeve të tjera” dhe kështu numri i shteteve që njohin Kosovën mund të bie nën 100.

Egjipti e njohu Kosovën më 26 qershor të vitit 2013.

Vendimin e njohjes e kishte lexuar zëdhënësi i atëhershëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Badr Abdel Ati, i cili në të njëjtën kohë kishte kërkuar që Kairo të mbajë raportet e mira me Serbinë, transmeton lajmi.net.

“Novosti” po ashtu shkruan se raportet mes Beogradit dhe Kairos janë përforcuar edhe gjatë takimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me kreun e Egjiptit, Abdel Fattah el-Sisi, vitin e kaluar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?