Lajme

Ky liqen rrezikon të thahet tërësisht

Liqeni i Fierzës po lë bregun e po tkurret çdo ditë rreth kupolës së tij. Mungesa e reshjeve dhe temperaturat e larta ne Kukës, po pakësojnë ndjeshëm prurjet e lumenjve që furnizojnë ujëmbledhësin më të madh në vend.

Të dy lumenjtë e mëdhenj që furnizojnë liqenin, Drini i Bardhë dhe Drini i Zi nuk sjellin më shumë se 50 metër kub ujë në sekondë. Niveli i ujit po zbret çdo ditë kurse kuota ka zbritur në 287.88 metra mbi nivelin e detit nga 296.5 e kuotës maksimale.

Këto të dhëna tregojnë se situata hidrike në kaskadën e Drinit nuk është shumë pozitive, duke pasur parasysh se prurjet mesatare të Drinit janë nga 250 deri në 300 m kub ujë për sekondë ndërsa rreziku për rënie në nivele kritike ekziston, për shkak të parashikimeve për motin e nxehtë dhe temperaturat e larta që do të shoqërojnë javën e fundit të korrikut dhe muajin gusht.

Hidrocentrali i Fierzës, aktualisht punon me tre turbina. Thatësira, ka ndikuar ndjeshëm në shtimin e rasteve te zjarreve masive pyjore dhe pakësimin e furnizimit të banorëve me ujët të pijshëm.