Lajme

Ky është rasti për të cilën u arrestua një person për sulm ndaj policëve

Policia e Kosovës ka njoftuar se në pikën kufitare të Jarinjes, sot është arrestuar një person i cili ishte në kërkim për sulm me armë zjarri ndaj personave zyrtarë, sipas veprës penale “vrasje e rëndë në tentativë”.

Policia e Kosovës ka deklaruar se bëhet fjalë për një rast që ka ndodhur kohë më parë. Sipas mediumit Kallxo, i arrestuari është i dyshuar për sulmin ndaj Policisë së Kosovës gjatë tetorit të vitit 2021.

Bëhet fjalë për operacionin e Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së barnave, ku kishte hasur në rezistencë të grupeve të qytetarëve dhe personave të maskuar. Gjatë atij operacioni disa policë ishin lënduar në shkëmbime të zjarrit, ku ishin përdorur edhe armët e gjata.

“Policia e Kosovës, gjatë realizimit të detyrave zyrtare, sot, më 09.02.2022, rreth orës 15:00, në Jarinje ka arritur të identifikojë dhe të ndalojë të dyshuarin M.A. (m/s/k), i cili ishte në kërkim. Personi i ndaluar është i dyshuar për përfshirje në sulm me armë zjarri ndaj personave zyrtar, ‘vrasje e rëndë (në tentativë)’, rast ky i kryer kohë më parë”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës ka deklaruar se do të vazhdojë angazhimet dhe aktivitetet e saj në realizimin e objektivave policore.

“…përfshirë edhe arrestimin dhe vënien para drejtësisë të personave të kërkuar edhe ky arrestim dëshmon se askush nuk mund t’i ikë drejtësisë dhe herët a vonë do të përballet me forcën e ligjit”, thuhet në këtë njoftim.

Në fund, Policia ka njoftuar se me autorizim të prokurorit kompetent, i dyshuar është dërguar në mbajtje.

Një zyrtar policor i Kosovës është plagosur jo më larg se dje nga plumbat që kanë targetuar veturën e Policisë së Kosovës në pjesën veriore në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë, pas vendimit që të rritet prania e forcave të sigurisë në komunat veriore.