Lajme

Ky është numri i protestuesve që tashmë janë nisur për në Prishtinë

Numri i protestuesve që janë nisur nga qytete e ndryshme për të arritur në Prishtinë në orën 14:00 kur edhe fillon protesta kundër Hashim Thaçit, duket të jetë i madh, ani pse nuk janë bërë ende të gjitha nisjet.

Por nga fotografitë që anëtarë e aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë publikuar në rrjete sociale, numri i tyre duket të jetë i lartë.

Tanimë janë nisur protestuesit e parë nga pesë qytete të ndryshme të Kosovës, drejt Prishtinës, ku Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar protestën kundër korrigjimit të kufijve.

Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar nisje me transport falas për protestë nga 28 qytete të Kosovës.

Të parët që janë nisur rreth orës 11:00, janë protestuesit nga Dardana, Deçani, Juniku, Peja dhe Sharri.

Në 11:30, janë bërë nisjet nga Vitia, Istogu, Prizreni dhe Skënderaj.

Kurse, në orën 12:00, VV ka organizuar transport për protestuesit nga Podujeva, Drenasi, Gjakova, Gjilani, Hani i Elezit, Kaçaniku, Obiliqi, Klina, Mitrovica, Rahoveci, Shtërpca dhe Suhareka.

Protestuesit nga Shtimja, Vushtrria, Fushë Kosova, Ferizaj dhe Malisheva, do të nisen në orën 12:30, për në Prishtinë.

Ndërsa, ata nga Artana dhe Lipjani në orën 13:00.

Më poshtë po ju sjellim fotografi nga këto nisje nga qytetet e ndryshme. /GazetaBlic/