Lajme

Ky është inspektori i cili u kap në flagrancë duke marrë ryshfet

Gazeta Online “Reporteri.net” raportoi mbrëmë se inspektori i ndërtimit në Komunën e Prishtinës, Gafurr Rexha u arrestua dje nga Policia e Kosovës, pasi u zu në flagrance me 12 mijë euro në çantë të cilat ia kishte kërkuar Naim Berishës, pronar i kompanisë së ndërtimit “Berisha Group”.

Rexha u arrestua nga policia në restorantin ‘Liburnia’ në Prishtinë duke i marrë paratë që ka kërkuar në formë ryshfeti në vlerë prej 12 mijë euro.

Një ditë pas këtij rasti, Drejtori i Inspektoratit të Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, ka deklaruar për Gazetën Online “Reporteri.net” se nga mediat kanë marrë vesh për arrestimin e Rexhës, ndërsa shton se Komuna e Prishtinës është në pritje të informimit zyrtar, dhe menjëherë do të ndërmerr veprimet e nevojshme në përputhje me Ligjin dhe procedurat.

“Me 29 shtator, në orët e mbrëmjes, jemi njoftuar se njëri nga punëtorët e Komunës është arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe është në mbajtje për 48 orë. Nga mediat morëm vesh që i njëjti dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mitmarrje. Komuna e Prishtinës është në pritje të informimit zyrtar, dhe menjëherë do të ndërmerr veprimet e nevojshme në përputhje me Ligjin dhe procedurat”, thotë Tahiri.

Ai thotë se Komuna e Prishtinës distancohet nga çdo veprim i paligjshëm i cilitdo punëtor, dhe se janë të gatshëm për bashkëpunim të vazhdueshëm me organet e rendit, për çfarëdo rasti”, thotë ai.

Inspektori Rexha, ishte arrestuar edhe një vit më parë bashkë me dy kolegë të tij Qenan L. Osmani dhe Gjymshit A. Gashi, nën dyshimin për shpërdorim të detyrës zyrtare.