Lajme

Kush po e ndalon kandidimin e Albin Kurtit në këto zgjedhje?

Sipas KQZ-së, e cila është bazuar në përgjigjen e Këshilli Gjyqësor të Kosovës, “janë 47 kandidatë nga rreth 1.080, të cilët janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit”, transmeton Pa Rrotlla.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, sot në një konferencë për media ka thënë se Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ua pamundëson kandidimin atyre që kanë problem me ligjin.

“Shkurt shqip dhe qartë është ligji dhe Aktgjykimi që ua pamundëson kandidimin unë nuk e kam shkruar e as nuk e kam votuar . Unë nuk e kam shkruar as Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, çdo person mund të ankohet në PZAP dhe Gjykatën Supreme. Si gjyqtare dhe Kryetare e KQZ-së i garantoj qytetarët se do t’i respektoj ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Daka.

Daka ka thënë se deklaratat politike janë ndërhyrje në punën e KQZ-së.

“Deklaratat politike janë ndërhyrje në punën e KQZ’së. Dua t’i siguroj qytetarët që KQZ është duke punuar maksimalisht që t’I kryejë detyrat e veta kushtetuese dhe ligjore, angazhimi im në fushën e zgjedhjeve dhe rezultatet e arritura”, ka thënë ajo.

Kjo konferencë e Dakës vjen një ditë pasi KGJK ka verifikuar listat e partive politike dhe ka gjetur se dhjetëra kandidatë për deputet kanë probleme me ligjin.

Emri i shumëpërfolur është ai i Albin Kurtit ndaj të cilit ka një vendim Gjykate për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës.

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, mbrëmë kishte akuzuar kryetaren e komisionit të KQZ-së, Valdete Dakën se kjo e fundit po tenton eliminim politik të Albin Kurtit.

“Unë nuk kam informacion se ka ardh ndonjë dokument i cili ja ndalon Albin Kurtin dhe të tjerëve kandidimin për deputet. Krejt çka e di është që një kërkesë KGJK-ja ja kthy KQZ-së për të cilën dua të flas. Mendoj qe jemi në rrezik të demokracisë në Kosovë. Albin Kurti dhe të tjerët e kanë kryer atë veprim në të mirë të shtetit të Kosovës. Kjo nuk është një vepër penale e cila ka qenë diçka në drejtim të dëmtimit të njerëzve apo dëmtim të shtetit tonë. Personi i cili në KQZ po ndikon që edhe kërkesa me qenë sugjestive edhe kundër Albin Kurtit është Valdete Daka. Ata po dojnë eliminim politik”, kishte thënë Konjufca.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka i është kundërpërgjigjur anëtarit të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, duke thënë se nuk e mbështet asnjë parti politike.

“Është bërë e lehtë për burrat e politikës që të sulmojnë një gjyqtare, një grua, një nënë që nuk e mbron dhe nuk e mbështet asnjë parti politike dhe që asnjëherë nuk ka qenë pjesë e partive politike. Pavarësisht kësaj, unë jam krenare që drejtoj një institucion si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ka një staf profesional, puna e të cilëve vlerësohet lart në raportet e organizatave ndërkombëtare. Kjo është forca më e madhe që kam dhe që u dalë të gjithëve ballëhapur”, tha Daka.

Lidhur me deklaratën e Konjufcës ka reaguar edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), duke vlerësuar se përdorimi i kësaj gjuhë është e papranueshme dhe e dënueshme.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj gjuhës kërcënuese të përfaqësuesve të partive politike ndaj krerëve të institucioneve kushtetuese, duke e vlerësuar si të papranueshme dhe dënueshme. Partitë politike përmes përkushtimit të tyre duhet të dëshmojnë se kanë për qëllim respektimin e sundimit të ligjit, duke zbatuar vendimet e instancave gjyqësore dhe institucioneve tjera respektove dhe jo duke kërcënuar krerët e tyre me fjalor të papranueshëm”, thuhet në reagim.

Kujtojmë që dje Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka dorëzuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), listën me emrat e 47 kandidatëve që nuk do të lejohen që të kandidojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Në mesin e tyre është edhe kandidati për kryministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti. /Pa Rrotlla


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?