Lajme

Kush ishte Bujar Nishani, ushtaraku që u bë President i Shqipërisë

Bujar Nishani u betua si president i Shqipërisë më 24 korrik 2012 në moshën 47 vjeçare. Ai mbante pozitën e Ministrit të Brendshëm kur e mori pozitën e të shefit të shtetit shqiptar. Në Shqipërinë postkomuniste, Nishani ishte presidenti i pestë. Ai vdiq sot në moshën 57 vjeçare pas komplikimeve shëndetësore në një spital në Gjermani shkruan Gazeta Express.

Bujar Nishani ka lindur në Durrës më 29 shtator 1964, kurse ka diplomuar në Akademinë Ushtarake “Skenderbej” në Tiranë kurse studimet pasuniversitare në Shtetet e Bashkuara në Shkollën Postdiplomatike të Marinës për “Menaxhimin e Resurseve të Mbrojtjes”. Ai poashtu kishte diplomuar edhe në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 2004.

Bujar Nishani u bë pjesë e Partisë Demokratike të Shqipërisë në vitin 1991 dhe ka mbajtur disa pozita të larta shtetërore.

Nishani ka qenë deputet i Parlamentit e më pas ka ushtruar funksionin e ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Brendshëm, pozitë të cilën e kishte mbajtur deri më 24 korrik 2012 kur edhe ishte zgjedhur President i Shqipërisë.

Nishani shërbeu si i pari i shtetit shqiptar nga 24 korriku 2012 deri më 24 korrik të vitit 2017.

Ai u zgjodh president i Shqipërisë me 73 votat e shumicës në Parlament.

Vizitën e parë jashtë shtetit si president Nishani e kishte realizuar në Kosovë. Ai ishte shpallur qytetar nderi i qytetit të Prizrenit dhe Drenasit.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?