Lajme

Kush është përmbaruesi privat të cilin e suspendoi ministrja Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka suspenduar nga detyra një tjetër përmbarues privat.

Të premten, ministrja nënshkroi vendimin për suspendimin nga detyra të përmbaruesit privat, Irfan Kërçagu.

Sipas vendimit të nxjerrë nga Ministria e Drejtësisë, Kërçagu do të jetë i suspenduar nga detyra deri në një vendim të Komisionit Disiplinor, i cili është duke e shqyrtuar një lëndë ndaj përmbaruesit privat.

“Bazuar në kompetencat ligjore, sot kam nënshkruar Vendimin për suspendim të përmbaruesit Irfan Kërçagu, deri në marrjen e një vendimi të Komisionit Disiplinor”, ka thënë sot ministrja Haxhiu, në një njoftim të publikuar në Facebook.

Irfan Kërçagu është një përmbarues privat, i cili ushtronte kompetencat në territorin e Komunës së Prishtinës.

LEXO EDHE:  Radoiçiq pranon se ka qenë në Banjskë më 24 shtator dhe se ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike

Ai është me origjinë nga Komuna e Rahovecit. Ushtrimin e detyrës si përmbarues privat e ka filluar në vitin 2018. Ishte emëruar në pozitë me vendim të ish-ministrit Abelard Tahiri.

Vitin e kaluar, Kërçagu e kishte kritikuar publikisht Ministrinë e Drejtësisë të udhëhequr nga Albulena Haxhiu për zbritjen e tarifave të shërbimeve që ofrohen nga përmbaruesit privat.

Në një reagim në Facebook në prill të 2022-s, Kërçagu e kishte akuzuar ministren Haxhiu për gënjeshtra.

“Tarifat e përmbatimit në Kosove janë më të ultat në rajon e ministrja nuk ka thënë të vërtetën kur është drejtuar ne FB se janë tarifat me të larta në rajon”, kishte deklaruar Kërçagu.

LEXO EDHE:  Kjo është data kur do të ndërrohet ora

“Kjo është një fushatë shtrigash ndaj Përmbarimit”, ishte ankuar ai.

Disa muaj më parë, ministrja Haxhiu e kishte suspenduar edhe Ilir Mulhaxhën, një tjetër përmbarues privat në Prishtinë