Lajme

Kurtishi i PDK’së: Qeveria Hoti po përsëritë gabimet e Qeverisë Kurti

Anëtari i Kryesisë PDK-së, mjeku Ilir Kurtishi ka alarmuar se Qeveria aktuale e kryeministrit Avdullah Hoti është duke vazhduar gabimet e ish-qeverisë së Albin Kurtit në menaxhimin e keq të pandemisë Covid-19.

Kurtishi tha se që nga fillimi i pandemisë, PDK ka dalë me rekomandime konkrete se si të bëhet menaxhimi i saj, por siç tha ai, Qeveria Kurti bëri politikë me pandeminë, duke keqpërdorur me sëmundjen sa ishin në pushtet e duke abuzuar qytetarët që i ftuan në protesta në mes pandemisë.

“Kulmi i papërgjegjësisë përballë pandemisë u demonstrua me organizimin e një tubimi e koncerti nga Vetëvendosje, në sheshin e Prishtinës, ku u përfshinë edhe ish krerët dhe zyrtarët e lartë të qeverisë, dhjetë ditë pasi u larguan nga pushteti. Sa ishin vetë në Qeveri, ftonin për kujdes dhe distancë sociale. Kur dolën prej saj, nuk u mërzitën për shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Me keqardhje po vëmë re se edhe Qeveria aktuale po përdor të njëjtën qasje që kemi dëgjuar para tre muajve, e që në realitet maskon paaftësinë në luftën kundër Covid-19”, tha Kurtishi.

Deklarata e plotë e Ilir Kurtishit:

Shpërthimi i rasteve me Covid-19, që po ndodh tani gjithandej Kosovës, është shumë shqetësues.

Rritja e frikshme tregon defektet e ndryshme që e kanë përcjellë menaxhimin e pandemisë, dhe për të cilat qysh nga fillimi kemi ngritur zërin.

Kësaj i jemi frikësuar dhe kjo po ndodh.

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, sot kemi 652 të infektuar aktivë, prej të cilëve 52 janë të shtrirë në spital dhe 20 janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi.

Që në fillim të pandemisë në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës ka dhënë ide dhe ka propozuar masa për përballimin e kësaj sfide të madhe nacionale të shëndetit publik.

Kemi tërhequr vërejtjen në vazhdimësi për vonesat dhe gabimet e bëra nga Qeveria e kaluar Kurti lidhur me testimet dhe masat e domosdoshme që duhej ndërmarrë.

Po ashtu, është brengosëse mungesa e fokusit që Qeveria Hoti ka ndaj pandemisë, në aspektin shëndetësor dhe ekonomik. Rekomandimet tona për rritjen e testimeve u injoruan.

Këto rekomandime ishin në përputhje me ato të OBSH-së, praktikave më të mira ndërkombëtare dhe objektivë e të gjitha qeverive në Rajon dhe Evropë.

Kulmi i papërgjegjësisë përballë pandemisë u demonstrua me organizimin e një tubimi e koncerti nga Vetëvendosje, në sheshin e Prishtinës, ku u përfshinë edhe ish krerët dhe zyrtarët e lartë të qeverisë, dhjetë ditë pasi u larguan nga pushteti.

Sa ishin vetë në Qeveri, ftonin për kujdes dhe distancë sociale. Kur dolën prej saj, nuk u mërzitën për shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

Me keqardhje po vëmë re se edhe Qeveria aktuale po përdor të njëjtën qasje që kemi dëgjuar para tre muajve, e që në realitet maskon paaftësinë në luftën kundër Covid-19.

Është e pajustifikueshme dhe e pandershme që të vazhdohet të thuhet se nuk ka burime njerëzore të mjaftueshme, ose laboratorë, për të bërë testime.

Kosova ka shumë ekspertë të zotë, që gjatë këtyre tre muajve mund të ishin angazhuar në testim, gjurmim, izolim dhe trajtim të Coronavirusit.

Dhe sot, kur është bërë hapja parë e ekonomisë, virusi është kthyer në përmasa të mëdha, ndërkohë që nuk kemi parë asnjë plan për ballafaqimin e kësaj situate.

Prandaj, i bëjmë thirrje Qeverisë aktuale që të mos i përsërisë gabimet e Qeverisë së kaluar, por të angazhohet sa më shpejt dhe me seriozitetin maksimal për ta ndalur përhapjen e rritjes rapide të Coronavirusit.

Po ashtu, apelojmë te qytetarët, të cilët kanë treguar një durim dhe kujdes shembullor, që të mos ulin kujdesin dhe vëmendjen.

Kërkojmë nga të gjithë që të respektojnë udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, që ta ruajnë distancën sociale dhe të kujdesen për njëri-tjetrin.

Punonjësit shëndetësorë, të cilët kanë përsipër barrën më të madhe në luftën kundër pandemisë, kanë qenë dhe janë këtu për të gjithë qytetarët.

Falënderojmë secilin prej tyre për punën profesionale të shkëlqyer që kanë bërë dhe po bëjnë.

Le të jemi të vëmendshëm dhe le të përpiqemi të gjithë për ta kaluar sa më lehtë dhe më shpejtë këtë gjendje të rëndë shëndetësore dhe ekonomike.


SHIKO EDHE: Si do të duket jeta pas COVID-19?